Konfirmohet, ja kur Vuçiç do të vijë në Shqipëri

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin që do të zhvillohet në Tiranë në fillim të muajit mars, gjatë një takimi të zhvilluar me homologun e tij slloven.

Diskutimet mes Serbisë dhe Kosovës pritet të jenë temë e diskutimeve edhe në Tiranë në Samitin e Brdo-Briunit, në datat 7 dhe 8 mars.

Në konferencën e përbashkët për mediat të Presidentit slloven dhe atij të Serbisë, ky i fundit tha se samiti do të jetë një takim i rëndësishëm për të gjithë rajonin.

Duke u ndalur te korrigjimi i kufijve, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, u shpreh se çdo vendim në këtë kontekst nuk duhet të sjellë probleme në rajon.

Pahor: “Ky është një proces që në radhë të parë duhet të jetë tolerant, i besueshëm dhe me zgjidhje paqësore e të mos sjellë probleme të tjera në rajon. Unë nuk do ta hedhja këtë si një zgjidhje, por do të isha shumë, shumë i kujdesshëm”.

Ndërkohë, presidenti Vuçiç tha se duke parë situatën aktuale, për zgjidhjen e problemeve me Kosovën duhet të dëgjohen edhe interesat e shqiptarëve.

Vuçiç: “E di se askush nuk dëshiron ta dëgjojë këtë fjali, por është thelbësore që të shohim edhe interesat e tjetrit dhe të bëjmë përpjekje të arrijmë kompromis”.

Vuçiç foli gjithashtu për protestat kundër autoriteteve, duke thënë se kur do të shkojnë në votime të gjitha ato parti politike që marrin pjesë në këto organizime nuk do të jenë në gjendje të fitojnë.