Koplik/ “Marrinat” e bashkisë dhe heshtja e Ramës; 4 vjet “lojëra djalli”, për të penguar 1 investim energjetik të huaj

“Helikat e zeza” në Bashkinë Malësi e Madhe dhe “pulaxhinjtë” jashtë saj, që po pengojnë investimin e Parkut Energjetik “Malësia Solar 1”; duke e sorrollatur qysh prej datës 28 korrik 2016, kur kryeministri Rama ka firmosur vendimin e lejes zhvilluese ndërtuese; e qysh prej datës 21.05.2018 kur është licencuar nga ERE pa ansjë mangësi e deri sot, investitori po mbahet peng nga “bajraktarët” e Bashkisë dhe po heshtet nga “Sulltani i Surrelit”

Në zonën Malësi e Madhe, ku investimet social- ekonomike, mund quhen “historike” kur bëhen; po ndodh diçka që nuk i nxit e i afron, por i largon investitorët e huaj, madje dhe vendasit që janë pjesë kapitalesh me ta.

Për të ballafaquar realitetin faktik, që ndoshta kryeministri Rama nuk e di; po ndalemi tek deklarata që ministrja e Infrastrukturë-Enegjisë, Belinda Balluku, ka bërë më 27 maj 2020 në parlament, ku sulmeve të opozitës për largimin e investitorëve të huaj, iu përgjigj kështu:

“Ju bëjë me dije, se sot, një kompani franceze, ka marrë përsipër me çmim të lartë, ndërtimin dhe shfrytëzimin e ParkutFotovoltaik-Energjetik në Karavasta. Kjo tregon, se kryeministri Rama dhe qeveria jonë, kanë krijuar klimë besimi e kushte mbështetëse për investitorët e huaj ose të përbashkëta me kompani shqiptare, duke ua bërë edhe zero taksat qëndrore e lokale, ku investimi është mbi 10 vjet”.

Mirëpo kjo “klimë besimi e mbështetje qeveritare”, jo vetëm nuk po jepet ndaj investitorit “Malësia soliar 1”, që ka vendosur të ndërtojë Park Fotovoltaik-Energjetik 7.5 mega, në zonën “Lohe e Poshtme-Shkrel”, Bashkia Malësi e Madhe, por pengohet edhe kur paguan taksat 3 herë mbi tarifën ligjore.

Sipas dosjes që ka ardhur në “Pamfleti”, konfimuar dhe në regjistrin e vendimeve të KRRTSH për vitin 2016 dhe vendimeve të ERE për vitin 2018 (Fletore Zyrtare nr. 72); rezulton se investitorët e këtij projekti, kanë zbatuar çdo detyrim ligjor për mjedisin, territorin e taksat.

Por Bashkia Malësi e Madhe, ka 4 vite që bënë “marrina” antiligjore, me kërkim xhelepesh 29 herë më të larta se taksat; duke shpërfillur ligjin.

Ndoshta për efekt rrogash të punonjësve mbi organikë, apo kondicionerësh, dietash, karburanti e piknikësh festive; Bashkia Malësi e madhe, kërkon të paguajë ‘thela të mëdha, me taksë 3% të vlerës, kur ligjërisht është 0.1%.

Qysh prej datës 28 korrik 2016, kur kryeministri Rama, ka firmosur vendimin e lejes zhvilluese ndërtuese; dhe qysh prej datës 21.05.2018 kur është licencuar nga ERE pa asnjë mangësi e deri sot, investitori i “Malësia Solar 1” po mbahet peng nga “bajraktarët” e Bashkisë dhe po heshtet nga “Sulltani i Surrelit”.

Pas vendimit të KRRTSH, të datës 28 korrik 2016, kompania e ka paguar taksën 0.1%, mirëpo më pas, bashkia e detyroi të paguante 0.3% taksë lokale, ose 2 herë më tepër; sepse kështu kishte vendosur kryetari; sikur investitori do mbjellë fusha e pyje me bimë energjike e jo sikur do prodhojë energji elektrike për zonën.

Pas 18 muaj bllokim lejesh ndërtimi, me sorollatje e lojëra pazaraxhinjsh: “Duku nga java”; më 13 janar 2018, investitori “Malësia Solar 1”, për të mos vonuar kohën e investimit, u detyrua të paguante “xhelepin” anti-ligjor 0.3% që kërkoi bashkia.

Qysh prej kësaj date, bashkia ka marrë pagesën e taksës 0.3%, por megjithëse kanë kaluar 29 muaj, nuk po firmos lejen ndërtimore, duke e detyruar investitorin e huaj, t’i drejtohet gjykatës, ku ka fituar të drejtën e zbardhjes së lejes.

Por “kryebajraktari” i bashkisë, përsëri nuk pranon ta zbardhë lejen; ndërsa Rama po hesht, megjithëse i janë dërguar shumë ankesa e kërkesa për mbështetje, që kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, të zbatojë vendimin e qeverisë, të firmosur nga vetë kryeministri.

Përse po pengohet, zbardhja e lejes së miratuar qysh më 28 korrik 2016; e kur pagesat e taksave edhe 2 herë më tepër, janë bërë qysh para 18 muajve?

NË VIJIM/ Do publikojmë fakte konkrete me “bojna të zeza”, të cilat provojnë se cilat janë “helikat e zeza” zyrtare e private në bashki e zonë; që po pengojnë lejen për ndërtimin e parkut energjetik “Malësia Solar 1”. Kaq për sot./Pamfleti