Kreu i policisë bashkiake në Shkodër: Gazi në protestë sjellë dëme afatgjatë, fëmijët e tyre…

Protestuesit e opozitës çdo herë që kanë dalë në rrugë, janë përballur me gaz lotsjellës nga forcat e policisë, Por, Anton Hasanpapaj kreu i policisë Bashkiake në Shkodër shprehet se ky veprim ka qenë i pajustifikueshëm dhe i pashpjegueshëm sepse në asnjë moment nuk ka pasur dhunë nga ana e qytetarëve.

E pyetur nga gazetarja për përdorimin e gazit lotsjellës nga ana e Policisë si masë për ti shprëndarë ata, ish-polici është shprehur se ky lloj gazi që është përdorur është hequr nga përdorimi dhe në luftë, që nga 2007. Sipas Hasanpapaj dhe pse jo ekspert në këtë fushë ky gaz ka pasoja negative për pasardhësit e personave të cilëve u hidhet ky gaz.

“Kimistët mund të flasin për gazin lotsjellës. Ka qenë gaz CS dhe në dijeni time është hequr që nga 2007 dhe nga përdorimi në luftë. Gazi lotsjellës krijon probleme tek pasardhësit e personave të cilëvë i është hedhur.” tha Hasanpapaj.

Lidhur me procedimet dhe arrestimet që po kryen Policia e shtetit ndaj protestuesve Hasanpapaj thotë që këto veprime janë të pajustifikuara sepse nuk ka pasur në asnjë moment dhunë nga protestuesit. Ai shton se është kundra ligjit sepse nuk mund të shkohet në banesat e njerëzve në çdo kohë pa arsye.

“Unë nuk kam parë dhunë, asnjë protestues nuk shtyrte policët. Nga protestuesit nuk ka pasur asnjë lloj dhune ndaj institucioneve. Është e pajustifikueshme që Policia për shkak të pjesmarrjes në protestë të dhunojë banesat e qytetarëve orë pa orë dhe kohë pa kohë. Po krijohet terror. Në cdo rast janë dëmtuar vetëm qytetarët e këtij vendi ku politikanët janë përfshirë në afera disamilionë euroshe që kanë dëmtuar ekonominë e shqiptarëve.

Si mund të kërkohet bashkëpunim të qytetarëve me Policinë kur Policia I dhunon këta të fundit. ” vijoi më tej kreu i policisë Bashkiake në Shkodër. Ish-polici ka shtuar gjithashtu se drejtimi i shtetit po bazohet në metoda diktatoriale.