Krijohet grupi për rrëzimin e Ramës në PS, një ministër dhe disa figura të fuqishme kërkojnë largimin e tij

Plasaritet PS, Xhafaj, Majko, Dade dhe disa figura të tjera po punojnë për përmbysjen e Ramës, mbështeten në prapaskenë nga Erion Veliaj, Ahmetaj dhe Gjiknuri nisin flirtimet me njerëzit e Bashës dhe Berishës.

Lufta e nëndheshme për pushtet ka krijuar një grup të zgjeruar dhe të fuqishëm në Partinë Socialiste, i cili synon rrëzimin e Edi Ramës si kryeministër dhe kryetar partie. Tre figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Arta Dade kanë vendosur të dalin hapur kundër Edi Ramës. Pandeli Majko ka paraqitur disa herë dorëheqjen pasi nuk pajtohet me politikat e kryeministrit. Dy ditë më parë, Majko kundërshtoi edhe sulmet e Ramës kundër “Zërit të Amerikës”. Ndërsa Arta Dade ka hedhur idenë e një mocioni mosbesimi në PS për rrëzimin e Kryetarit. Nga ana tjetër, Fatmir Xhafaj kundërshtoi hapur idenë e Ramës në Kuvend për të ndaluar arrestimin e deputetëve dhe ministrave nga SPAK-u.

Pas kësaj tresheje fshihet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pret t’i zërë vendin Edi Ramës në krye të PS. Majko dhe Xhafaj kanë raporte të ngushta me Erion Veliaj dhe konsiderohen si dy njerëzit e tij më të besueshëm në Partinë Socialiste. Pjesë e grupit të Veliajt mësohet se janë edhe një grup i zgjeruar deputetësh dhe drejtorësh të PS, por nuk kanë dalë ende në skenë për shkak se mund të ndëshkohen nga Rama. Të gjithë këta persona me ndikim në PS, në skenë dhe prapaskenë, synojnë rrëzimin e Edi Ramës dhe ngjitjen e Veliajt në krye të PS, ashtu siç bëri edhe Rama me Fatos Nanon.

Në Partinë Socialiste ka edhe disa kundërshtarë të tjerë të Edi Ramës, por jo të gjithë mbështesin Veliajn. Kështu, pasi i përdori në shumë afera dhe koncesione, Rama tradhtoi dhe shkarkoi si ministra Damian Gjiknurin dhe Arben Ahmetaj, të cilët ishin fuqizuar vitet e fundit, duke krijuar edhe klane të fuqishme. Tashmë Gjiknuri dhe Ahmetaj kanë nisur të flirtojnë me njerëz pranë Lulzim Bashës. Ahmetaj është parë në shoqërinë e Ervin Salianjit, ndërsa Gjiknuri vijon të ketë raporte të ngushta me oligarkun Bashkim Ulaj, person shumë i afërt me Sali Berishën.

Prej disa javësh, Basha dhe Berisha kanë ndërprerë çdo lloj akuze ndaj Ahmetajt dhe Gjiknurit. Efektet e para të plasaritjes së Partisë Socialiste do të ndihen në zgjedhjet lokale. Grupi kundër Ramës do të punojë për fitoren e Erion Veliajt në Tiranë, por nga ana tjetër do të punojnë që Edi Rama të pësojë një disfatë të thellë në të gjitha bashkitë e tjera të mëdha./Pamfleti