Krimet e bandës famëkeqe/ Flamur Haka e Durim Bami u lanë të lirë pas shoqërimit. Dyshime se po planifikohej…

Flamur Haka e Durim Bami janë dy prej “të fortëve”, që u shoqëruan dje në Nikël gjatë operacionit të Policisë së Shtetit dhe më pas u lanë të lirë.

Të dy janë emra të njohur si për drejtësinë, ashtu edhe për qytetarët, njëri ish-i dënuar si pjesë e bandës famëkeqe të njohur si “Banda e Niklës”, e tjetri si i dyshuar për shumë kohë për një atentat ndaj deputetit Tom Doshi, që më pas rezultoi i sajuar. Flamur Haka, në shkurt të vitit 2008, është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e ka dënuar me 16 vite burgim.

“Banda e Niklës” u godit gjatë një operacioni të zhvilluar në vitin 2005, ndërsa anëtarët ishin të akuzuar për 7 grabitje me dhunë, një rrëmbim personi dhe një atentat. Drejtuesi i këtij grupi ishte Flamur Haka, personi që u shoqërua dje gjatë operacionit të Policisë. Sipas përfaqësuesve të Prokurorisë që në vitin 2008 kërkonin dënimin me 91 vite burgim për anëtarët e grupit, të akuzuarit i kishin kryer veprat penale në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por të drejtuar nga Haka.

Ai ishte njëri prej drejtuesve që vendoste për objektivin dhe planin e vjedhjes. Në shkurt të vitit 2005 ishte regjistruar procedimi penal kundër shtatë të pandehurve: Flamur Haka, P.Ll., A.T., K.B., M.Xh., E.S. dhe E.B. Sipas Prokurorisë, veprimtaria e kësaj bande ka filluar në prill të vitit 1998, kur dy prej anëtarëve të saj kanë vjedhur makinën e shtetasit B.M., në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë.

Pak muaj më pas, në fillim të vitit 1999, anëtarët e kësaj bande i kanë vënë gjobë prej 2 milionë lekësh shtetasit P.M. Letra kërcënonte këtë shtetas se nëse nuk do të paguante paratë, do t’i vriteshin fëmijët. E veçanta e këtij rasti ishte se në fund të letrës, kishin nënshkruar sikur autor i gjobëvënies ishte Nehat Kulla dhe grupi i tij.

Një tjetër grabitje e bandës, e cila ishte faktuar, rezultonte të ishte kryer më 6 maj 1999. Rreth orës 21:30 të asaj nate, tre persona kanë hyrë në banesën e shtetasit G.Q., ku ndodhej edhe shtetasi nga Kosova I.K. dhe i kanë marrë këtij të fundit 850 franga dhe 5200 marka.

Ndërkohë, vetëm gjashtë muaj më pas, Flamur Haka dhe drejtuesi tjetër i grupit, P.Ll., kanë rrëmbyer shtetasin K.Sh. dhe e kanë dërguar në një banesë në afërsi të urës së Tapizës. Më datë 19 nëntor 1999, ata i kanë telefonuar shtetasit D.L., duke i kërkuar 50 milionë lireta italiane në këmbim të lirisë së njërit prej të dëmtuarve.

Pak orë më vonë, nën presionin e Policisë, ata janë tërhequr nga kërkesa e tyre dhe e kanë lënë të lirë vetëm pasi i kanë marrë 20 mijë lekë, 300 mijë lireta, si dhe një zinxhir floriri. Në qershor të vitit 2000, sërish Haka dhe P.Ll kanë tentuar që të vrasin shtetasin B.U., i cili ka shpëtuar vetëm me një plumb në këmbë.

Haka u lirua me kusht 4 vjet më parë

Flamur Haka, në shkurt të vitit 2008, është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke u dënuar me 16 vite burgim. Por, këtë dënim Haka e ka shlyer duke përfituar herë pas here ulje dënimi dhe më pas, në nëntor të vitit 2014, gjyqtarja e Krujës, Nazmie Pingili, ka urdhëruar lirimin e tij me kusht.

Në vitin 2008, kur edhe u shpall vendimi, ndaj Flamur Hakës rëndonin akuzat, “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Kujtim Shtufi. Për këtë ngjarje ai u dënua me 4 vjet burg. Ai u deklarua fajtor dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, të kryer për hakmarrje, e mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim, të shtetasit Bledar Ulliri, i cili mbeti i plagosur.

Gjithashtu, u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Me bashkim të dënimeve, Flamur Haka, i cilësuar si një prej drejtuesve të “Bandës së Niklës”, u dënua me 16 vite burgim. Por ai qëndroi në qeli vetëm 9 vjet, që nga momenti i arrestimit, pasi pjesën tjetër të dënimit e shleu me ulje të herëpashershme e më pas në liri me kusht.