Kriza politike, zgjedhjet lokale në prag dështimi. KQZ u jep ultimatum partive…

Zgjedhjet lokale janë vetëm 3 muaj larg, por përgatitjet nuk kanë nisur ende.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel partive politike për dorëzimin e kandidaturave për komisionerët e KZAZ-ve brenda ditës së sotme, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në një deklaratë të mbajtur pak minuta më parë zëdhënësja e KQZ-së ,Drilona Hoxhaj u shpreh se mosrespektimi i afateve ligjore cenon procesin zgjedhor.

Deklarata e plotë:

Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ.

QZ këkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor.

Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor. KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cënimin e administrimit të procesit zgjedhor.

Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.