Kryebashkiaku i arrestuar që paguhej edhe pse ishte në qeli, si i mori milionat

E mbani mend kryebashkiakun e Pustecit, Edmond Themelko? Ai u arr.estua në Maqedoni nën akuzë për parregullsi zgjedhore, e për 14 muaj, Bashkia e Pustecit ka qenë pa kryetar, por askush nuk ka marrë asnjë masë.

Në shkurt të 2016, prokurorja Fatime Fetai në një konferencë për media theksoi se është hapur procedim penal për shkeljen e të drejtës zgjedhore, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorimin e mjeteve për fushatën zgjedhore në vitin 2012, për tetë shtetas, ndër ta edhe Edmond Themelko.

Themelko u arrestua në Shtator të 2017, datë kur edhe Ministra e Punëve të Brendshme lajmëroi zyrtarisht ndalimin e Edmond Themelkos në Maqedoni.

Më datën 26 Shtator 2017 në Shkup, Maqedoni, Kryetari i Bashkisë Pustec, Edmond Themelko u arrestua pas aksionit të policisë “Titaniku” . Ai kaloi dy muaj në burgun e Shutkës në Shkup.

Më datën 28 Nëntor 2017, Gjykata i ndërron masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak. Arrest që do ta kalonte në shtëpinë e tij, në qytetin e Resnjës, në Maqedoni. Gjatë kësaj kohe policia e shoqëron në seancat gjyqësore në Shkup për rastin “Titanik” ku është i akuzuar.

Më 16 maj 2018, Gjykata Penale pranoi garancitë për pronat që Edmond Themelko zotëron në Maqedoni, me vlerë prej 197 mijë euro. Gjykata shfuqizoi masën e arrestit shtëpiak, duke e lenë me të drejtë paraqitje në gjykatën e Resnjës një herë në javë, por pa të drejtë të lëvizje jashtë Maqedonisë.

Më 23 Nëntor 2018, Gjykata e Apelit i ktheu pasaportën Edmond Themelkos i cili vetëm atëherë mund të udhëtonte jashtë shtetit, por sërish ishte i detyruar të paraqitej njëherë në javë në gjykatën e Resnjes.

Edmond Themelko ka hyrë në Shqipëri dhe ka ardhur në punë në Bashkinë e Pustecit në fillim të Dhjetorit 2018.