Kryemadhi kërcënon Ramën nga SHBA-ja

Nëpërmjet një mesazhi të dërguar nga SHBA, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar pas dh.unës së ushtruar nga Policia ndaj banorëve të Unazës së Re. Kryemadhi thotë se në këto momente banorët e kësaj zone kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Kryemadhi akuzoi Ramën si orkestruesin e terrorit të ushtruar ndaj banorëve dhe e paralajmëroi atë se do të japë përgjegjësi.

Mesazhi i plotë

Jam në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Dhuna dhe terrori i ushtruar nga Edi Rama dhe falangat e tij të krimit, të cilat kanë kapur Policinë e Shtetit dhe të gjitha instrumentet shtetërore, nuk është gjë tjetër veçse instalimi përfundimtar i narko shtetit dhe krimit të organizuar nën emrin e qeverisë shqiptare.

Gazi lotsjellës, dhuna që përdori policia shqiptare ndaj grave dhe fëmijëve në orët e para të mëngjesit ndaj banorëve të Unazës së Re, jo vetëm që është kriminale, por një ditë do të paguhet mirë dhe do të dalin përballë drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj njerëzimit.

Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë diktaturës së krimit të Edi Ramës, i cili po e instalon dhe do të mbajë përgjegjësi për të gjithë kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për pastrimin e parave, për trafikun e drogës, për shkatërrimin e institucioneve të drejtësisë, për shkatërrimin e reformave, qoftë kjo reformës në drejtësi, reformës së administratës publike, për bllokimin e të gjitha institucioneve shqiptare.

Ai sot vazhdon akoma më shumë, në mënyrë të pareshtur, provokimin ndaj opozitës shqiptare, por mbi të gjitha duke provokuar qytetarët shqiptarë, duke i detyruar ata për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të ndërtuar jetën e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të realizojë planin e tij anti shqiptar.

Sot më shumë se kurrë, ne duhet të jemi të gjithë bashkë, për t’u bashkuar njëherë e përgjithmonë kundër diktaturës së krimit dhe për t’i dhënë fund të gjithë atyre mbeturinave që kanë ngelur nga diktatura komuniste, që tashmë kanë veshur vellon e krimit të organizuar. Të bashkohemi të gjithë së bashku për të dhënë njëherë e përgjithmonë drejtimin përfundimtar të Shqipërisë, drejtimin drejt Bashkimit Europian, integrimit drejt Bashkimit Europian dhe për të qenë më pranë vendeve të zhvilluara. Atyre vendeve që i kanë ndenjur gjithmonë pranë Shqipërisë në momentet më të vështira.