Kryeson “sheikja” me 1 mln e 600, ja sa i kanë pagat punonjësit e bashkisë Shkodër

Me plot 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra në muaj e mbyll mandatin e saj Voltana Ademi në krye të bashkisë Shkoder. “Sheikja” e pushtetit vendor nga marrja e detyrës e deri më sot, në këto 3 vite të plota mandat, ka njohur vetëm rritje të pagës, e në të njëjtën kohë nga deklarimet e bëra edhe shtim të pasurisë së saj.

Por paradoksi që qëndron ndërsa sheh buxhetin e bashkisë Shkoder dhe zërin e pagave për cdo nivel punonjësish, kupton jo vetëm diferencimet e mëdha që bën Ademi me pagat, por për drejtori specifike, ato ngjajnë më shumë se skllavopronare, e ngjashme me firmat e ndryshme private, që ende punonjësit i trajtojnë me paga minimale.

E gjitha kjo kuptohet përse ka ardhur, pasi Ademi prej ditëve të para ndërtoi një administratë të fryrë, ku mbushi cdo sektor me punonjës tej normave, e duke i paguar me “lëmoshe” aq sa lejon ligji në kufirin minimal. Kryetarja e bashkisë shpenzon vetëm për rrethin e ngushtë të saj miliona lekë. Në bordero sot rezultojnë 3 nënkryetar të cilët i paguan me nga 1.2 milion lekë të vjetra, që përkthehet në një shumë mujore prej 3 milion e 600 mijë lekë të vjetra.

Këshilltareve të saj ju ka vendosur paga që variojnë nga 45000 lekë në 57500 lekë në muaj, e ku numri i tyre shkon në 5 të tillë, gjithmonë nga ato të deklaruarit, pa përmendur të tjerë që Ademi e ka kthyer në praktikë t’i rekrutojë me kohë të pjesshme, apo si të jashtëm, që nuk duken në Shkoder por rrogën e marrin nga taksapaguesit këtu. Më pas lista kategorizohet dhe përfundon tek ata që në gjuhën e përditshme njihen si njerëzit që bëjnë punën, por marrin pagat më qesharake.

Janë punonjësit e institucioneve të varësië, apo ata që kapin kategoritë e katërta, që Ademi preferon t’i komandojë sipas orekseve personale, e në fund t’u japë vetëm 26000 lekë prej 1 janarit të këtij viti, aq sa e detyron ligji me ndryshimet e bëra.

Në fakt një nivel të tillë pagash nuk e gjen në asnjë prej bashkive të veriut, vetëm tek Ademi që ka preferuar kufirin e ulët dhe fryrjen e administratës, duke kapur shifrën e 1 mijë të punësuarve. Shkodranews ju sjell ekskluzivisht nivelin e ri të pagave që këshilli bashkiak miratoi me ndryshimet përkatëse këtë 18 janar 2019./ShkodraNews