Kthehet në Shkodër pasi Rama e zboi si krahun e djathtë. Çfarë e pret nesër Senida Mesin

Qendrën që e premtoi se do të inaugurohej në fund të 2018-es, kohë kur mbante postin e zv/kryeministres, Senida Mesi rikthehet ta inspektojë por këtë herë si deputete e thjeshtë e qarkut Shkodër. Mëngjesin e 15 shkurtit, ajo pritet të ndalet për të parë ecurinë e punimeve të qendrës ADISA (ish konvikti i vajzave “Safet Spahiu”), e cila jo vetëm nuk u arrit të bëhej gati për fundin e 2018-es, por të paktën me volumin e punimeve të mbetura, rrezikon të mos jetë gati të paktën edhe për 2 muaj të tjerë.

Pra ajo do të inaugurohet në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. E kjo nuk do të jetë vizita e vetme e Mesit, pasi gjithashtu ajo do të lançojë edhe disa investime të OSHEE për rajonin. E në fakt ajo çfarë habit në gjithë këtë mes është fakti se përse ish numri dy i qeverisë, pas heshtjes së gjatë, vendos të rishfaqet dhe të marrë rolin e deputetes aktive. Zërat po përflasin për një mundësi kandidimi të saj për bashkinë e Shkodrës, duke u tunduar nga kjo ofertë pasi mbeti pa një post nga Edi Rama, e në një kohë që kandidatët e tjerë të parë si më favorit, po vijojnë të hezitojnë për të pranuar propozimin e numrit një të qeverisë.

Mesi siç duket ka vendosur të testojë veten dhe elektoratin gjatë këtyre takimeve, që janë një ballafaqim i parë, pas një mungese disa mujore, e aq më shumë kur qeveria pritet të përballet me një sfidë të vështirë, siç është protesta qeveritare. Promovimi mund të jetë një strategji e Rames dhe kabinetit të tij, përpara se të vendosë përfundimisht kush do të jetë kandidati zyrtar për bashkinë e Shkodrës.

Mesi mund të jetë një alternativë edhe i varur nga varianti i kundërshtarit politik. Nëse po e tenton apo jo këtë betejë të radhës Senida Mesi dhe sa do te jetë e gatshme të pranojë humbjen e mandatit të deputetes, për të garuar në një qark që nuk është aspak i lehtë dhe kur vjen me një backround jo shumë pozitiv, pasi si numri dy i qeverisë arriti të bëjë shumë pak për këtë rajon, kjo mbetet për tu pare.

Gjithçka do të zbulohet hap pas hapi dhe kur dihet edhe konflikti i saj i brendshëm me zyrtarë të lartë të PS në Shkodër si dhe një pjesë të strukturave, kjo e bën edhe më interesante këtë sfidë, gjithmonë nëse numri dy i listës së Shkodrës do të pranojë betejën “për jetë e vdekje” në pushtetin e të parës së qytetit./ShkodraNeës