Ku do përfundojnë makinat e përdorura? Qeveria del me një propozim

Cfare do te behet me makinat e perdorura? Sipas shifrave, më shumë se 30 për qind e makinave të regjistruara në vend mund të jenë potencial për të përfunduar tek grupi i automjeteve në fund të jetës apo thënë shkurt të shkojnë për skrap.

Por ky numër mund të jetë më i lartë po të llogarisim këtu edhe probabilitetin e aksidenteve që në shumë raste çojnë një mjet në gjendje të pariparueshme. Qeveria pranon këtë problematikë në një dokument të sajin zyrtar ku trajtohet cikli që duhet të ndiqet për një trajtim normal të mbetjeve të kësaj kategorie në vend.

Problematik në këndvështrimin e insitucioneve është mendësia për të braktisur mjetet në pika grumbullimi dytësore të cilat sipas një inspektimi të bërë nga Ministria për Turizmin dhe Mjedisin ishin 230.

Për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të mbetjeve nga makinat në fund të jetës dokumenti ende draft i qeverisë propozon se duhet të ngrihet një sistem për grumbullimin dhe transportin e automjeteve në fund të jetës në impiantet përkatëse të trajtimit. Por duke qenë se kjo mund të shoqërohet me kosto shtesë propozimi është edhe për vendosjen e një tarife shtesë që paguhet në import apo tek koncesionari.

“Ministritë e linjës duhet të hartojnë programme informimi për të inkurajuar qytetarët, pronarët e automjeteve në fund të jetës për t’i sjellë ato në pikat e duhura të mbledhjes. Edhe mbetjet nga anijet, nga objektetet lundruese, nga hekurudhat dhe avionët duhet gjithashtu të përfshihen në sistemin për menaxhimin e automjeteve në fund të jetës dhe i duhet kushtuar rëndësia e duhur, kryesisht për materialet e rrezikshme që ato përmbajnë. Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit” thuhet në dokument.