“Kujdes me UÇK-në”/ Gjykatësja serbe që e dënoi 15-vite tregon bëmat e Albin Kurtit në gjyq

Gjykatësja serbe Danica Marinkoviç, ka rrëfyer në një televizion në Beograd momentin kur ajo ka dënuar Albin Kurtin me 15 vite burg në vitin 1999, pasi ky i fundit ishte arrestuar në Prishtinë gjatë bombardimeve. Ajo ka dënuar shumë persona por Kurtin e kujton për faktin se ai ishte një “nacionalist ekstrem”. Gjyqtarja thotë se ai kishte mohuar shtetësinë serbe dhe kishte thënë se ishte një shtetas i Republikës së Kosovës edhe pse shteti i Kosovës nuk ekzistonte në atë kohë.

Ajo shprehet: Gjatë marrjes së të dhënave personale kur është pyetur se shtetas i cilit vend është menjëherë kam ardhur në përfundimin se ai është nacionalist ekstrem, me nacionalitet më tha se është shqiptar,  e kur e pyeta se shtetas i cilit vend është tha i Republikës së Kosovës , pra atëherë as që ka ekzistuar Republika e Kosovës.  Ne i thamë se krahina e Kosovës është në kuadër të Serbisë, ai tha “jo” unë nuk e njoh shtetin serb, është shtet okupator, populli serb është okupator dhe unë jam shtetas i Republikës së Kosovës”.

Albin Kurti në vitin 1999 ishte pjesë e Zyrës së UCK-së në Prishtinë e cila drejtohej nga Adem Demaçi e ku Kurti ishte si ndihmës i tij dhe përkthyes.

Ndër të tjera ajo kujton edhe momentin kur Albin Kurti thekson se ai kurrë nuk do bëhej pjesë e ushtrisë serbe pasi ishte pjesë e UÇK-së.

Ajo thotë: Ai i është bashkuar UÇK-së në vitin 1998, dhe ai më tha mua mos gaboni ta shkruani e ashtuquajtura UÇK se për ne shqiptarët UÇK është ushtri e vërtetë çlirimtare, e cila po lufton me policinë serbe për ta çliruar Kosovën që ta bëjmë shtetin e pavarur”.