“Kujdes Sandër, kujdes se ky sistem i ndërron shpesh kuajt…”

Nga Agim Xhafka
Dje protesta arriti numrin më të madh të pjesëmarrësve.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe se qeveria e Ramës është si ajo majaja e bukës. Fryn e fryn çdo reagim nga që është e paaftë, nepotike, hajdute, arrogante, injorante dhe pjesë e mafies. Ndjehej mirë çdo shqiptar që mori pjesë, ose që e ndoqi në tv. U kuptua që PS tashmë është pakicë.

Në një shtet normal do ishte shpallur urgjent data e zgjedhjeve. Por nuk besoj se Rama dëgjon nga ai vesh. Ai do edhe me sovranin të tregojë forcë. E pasi ngarkoi në autobuzë plot e plot njerëz mbiu në Vlorë te sheshi i Flamurit me delirin se bash ai vetë duket si Ismail Beu.

Atje as karriket nuk ishin nga Vlora. Vetëm ajri qe lab e me siguri do ia hajë kokën. Se vlonjatët nuk e duan pushtetin, iu duhet ai dhe i shërbejnë, por në gjak janë demokratë e të pabindur me të keqen. E ndérsa “gjenerali” Rama tirrte lesh akademik në Vlorë, në Tiranë gjeneral Lleshi tirrte lëndë helmuese luftarake.

Opozita i duket si armiku që ka mësuar në libra. Ndaj përdori artin ushtarak partizan. Hapi një shteg sa i ftoi njerëzit të hypnin ca shkallë e nga sipër urdhéroi një “killer” të qëllonte me plumba gazi kimik mbi fukarenjtë e protestës. Pa lajmérim, pa teknikë,pa siguri se nga lart poshtë nuk lejohet kurrë të qëllohet,ai prapste njerëzit që rrëzoheshin, verboheshin, asfiksoheshin dhe villnin atë pak përshesh të mëngjesit.

Por gjenerali nuk hepej. Vazhdonte taktikën dhe çelte shtegun, ndillte turmën dhe fap mbi kokë gazi helmues. Shumë e shumë herë. Ka plot filmime të tilla sot që edhe në Siri i sheh rrallë. Por ja që gjenerali i bëri. Ua tregoi qejfin armiqve dhe mbase u lavdérua nga Rama. Ministér, në s’e di po ta them se ata njerëz janë vëllezër shqiptarë. Nuk bënë asnjë gjë nga turmat e partisë tënde më 21 janar. Nuk shkulën tullat e bulevardit, nuk ndezën zjarre, nuk dogjën makina, nuk goditën me lopata asnjë polic. Sot u ke rënë më qafë dhe në qafë e paç veten. Jeta është e gjatë. Ata mijra e mijra do vijnë sërish në atë shesh se ua garanton kushtetuta.

Ti mëso e ngulite mirë që ata nuk janë armiq, janë opozitarë, janë shqiptarë dhe me ta ti ke të njëjtën farë. Kujdes Sandér, kujdes se ky sistem i ndérron shpesh kuajt…