Kukësi, Vllaznia dhe…..stadiumi “Loro Boriçi”

Kukësi luan nesër ndeshjen e parë eleminatore të Uefa Champions League. Në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, kuksjanët presin ekipin maltez të Valletës. Një përballje e lehtë në letër, por nuk është i këtij mendimi trajneri i kësaj skuadre, Petër Pakult. Në konferencën për shtyp në prag të kësaj përballje, ai kërkoi angazhim maksimal të lojtarëve të tij.

Për më tepër, që ndeshja nuk do të luhet në Kukës, por në Shkodër, edhe pse largësia mes dy qyteteve nuk është e madhe. Duke shtuar pastaj edhe faktin se luhet pas 1 ore gjysëmfinalja e dytë e botërorit. Çka me shumë gjasa do të sjellë një interesim më të vogël të tifozerisë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Një stadium, i cili me shumë mundësi do të jetë shtëpia e re e Kukësit. Jo vetëm për ndeshjet europiane, por edhe për sezonin e ri futbollistik. Akoma nuk ka diçka zyrtare, por më shumë gjasa, kuksjanët do ti luajnë në Shkodër ndeshjet e kampionatit 2018-2019.

Kjo është “goditja” e dytë që Vllaznia i jep tifozëve të saj. Në vend që të ishin ato në pozitat e Kukësit do të “detyrojnë” tifozët shkodranë të shohin në stadiumin e tyre një skuadër tjetër. Një skuadër që është ndër më të mirat në Shqipëri. Jo një skuadër si Vllaznia, që ra një kategori më poshtë, nuk ka administrator, nuk ka trajnerë dhe i kanë mbetur disa lojtarë.

Një Vllazni që pritet dita-ditës të ndërtohet, por deri tani ka vetëm premtime. Vllaznia me shumë mundësi do të luajë në “Reshit Rusi” ndeshjet e Kategorisë së Parë, ndërsa në “Loro Boriçi” do të vijë të luajë Kukësi. Kjo edhe për fajin e Bashkisë Shkodër. Institucioni që jo vetëm shkatërroi Vllazninë, por nuk mori mundimin të merrte në dorëzim stadiumin “Loro Boriçi”, duke ia lënë FSHF-së.

Në fakt, nuk ka faj. Pasi kur nuk është në gjëndje të administrojë një skuadër, nuk ka si të kujdeset për një stadium modern, që është edhe më i miri në vendin tonë. /ShkodraNews

Loading...
Loading...