Kush do e paguaj taksën e Kosovës?

Nga Alban Nako

Kosova rishtazi ka vendosur një taksë 100% ndaj produkteve që kanë vend origjine Serbinë. Besoj se logjika ka qenë e thjeshtë, pak jashtë kontekstit por katërçipërisht e gabuar. Premisat e logjikës të nxisin të mendosh që pse duhet të kemi marrëdhënie ekonomike me një shtet i cili nuk na pranon pavarësinë dhe që duke “mbytur” tregun tonë me mallrat e tij vazhdon, të paktën ekonomikisht, “shfrytëzimin” ndaj nesh. Besoj se pyetja është tërësisht legjitime dhe meriton të diskutohet pak më gjerë se “ne” kundër “atyre”.

Çështja thelbësore, që arsyeja lypet të zgjidh, është nëse është në interesin shtetëror të Kosovës vendosja e taksës, çfarë fiton dhe kë humbet? A mundet Kosova, që ende në arenën kombëtare nuk i njihet sovraniteti territorial, në mënyrë të njëanshme të sfidoj hapur Serbinë pa dakordësinë e aleatëve? Çfarë precedenti vendos për Ballkanin antagonizmi me Serbinë dhe çfarë kundër-lëvizje duhet të presim nga Serbët dhe aleatët e tyre?

Serbia humbi “luftën” dhe bashkë me të një “copë” territori, pavarësisht se çfarë rëndësie historike ka për ne Shqiptarët apo Ballkanin në tërësi, përsëri janë dy plagë që dhëmbin në trupin e Serbisë. Mund të diskutojmë, pas pelerinës së NATO-s, me tone nacionalisti, por retorika nuk mund të na zgjidhi problemin që përsëri duhet të vazhdojmë të jetojmë në të njëjtën kohë dhe hapësirë. Nisur nga ky kontekst, interesi më i lartë për Kosovën është të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të fituar të drejtat dhe detyrimet që lindin nga firmosja e traktatit të OKB-së. Nëse ky objektiv nuk realizohet, gjithçka tjetër është e parëndësishme duke filluar nga ushtria e duke mbaruar tek taksa 100% për produktet e vendit të origjinës për Serbinë,

Në këtë betejë “nervash” hallexhiu është Kosova e duke vepruar nxitimthi, haptazi kalon forcën e argumentin në palën Serbe dhe sigurisht pastaj në Këshillin e Sigurisë së OKB-së. “Ne duam të ulemi të bisedojmë se si do e zgjidhim këtë punë, por ja shiko se ç’bëjnë këta…” mund të pretendoj në Këshillin e Sigurisë Rusia. Çfarë duhet të negociojnë në këtë pikë SHBA dhe Anglia? Nëse ne nuk jemi në të njëjtën valë mendimi me aleatët tanë duke përdorur forcën e logjikës dhe duke bërë hapa progresive drejt “faljes” si mund t’ia dalim kur i kundërvihemi edhe miqve tanë?

Servantes nuk do kishte material më të përkryer për të paralelizuar betejën e famshme me mullinjtë e erës. Retorika nacionaliste nuk na nxjerr dot nga qerthulli ku historia, vendimmarrja dhe mprehtësia intelektuale na ka vendosur. Të sfidosh kaq hapur idenë e liberalizmit të tregjeve ndër të tjera është një dackë turinjve drejt Amerikës. Quo Vadis Z. Haradinaj, apo po shpreson që të vij të ndihmoj Shqipëria?

Nëse do që të bësh lojën e madhe, luaj si një i rritur. Gjithkush mund të akuzoj me plot gojën që po cënon stabilitetin e rajonit duke vendosur taksën ndaj Serbisë. Natyrshëm besoj se e kupton që taksa ndaj Serbisë nuk është vetëm midis ju të dyve, por na prek edhe ne, gjithë të tjerët që jetojmë në Ballkan dhe kemi një perspektivë drejt Bashkimit Evropian. “Bashkimit” Z. Haradinaj! Reflekto dhe mos e cëno progresin e arritur me lëvizje të pavullnetshme që nuk e dimë se çfarë pasojash mund të sjellin. Nëse mendon që është me rëndësi kombëtare që produktet serbe të mos konsumohen, krijo një politikë/frymë që bojkoti të jetë masiv pa lënë gjurmë me ligje dhe kanune. Askush në këtë botë nuk mund të ngrihet dhe të thotë që Kosovarët nuk konsumojnë Plazmën serbe dhe nuk mund të drejtoj gishtin si revizionist.

I kuptoj të gjitha arsyet se çfarë do të arrish, por po përdor metodën e gabuar. Në këtë projeksion politik nuk është arsyeja pika më e fortë, por edhe mënyra si arrihet tek kjo arsye dhe natyrshëm çfarë dëshiron që të përfitosh.

Për ta mbyllur, kjo situata Ballkanike më kujton ato sherret që ndodhin nëpër rrugica lagjesh ku dy veta grihen në grushte me njëri-tjetrin ndërsa në dritare e në ballkone dalin gjithë plakat e lagjes e bëjnë sehir për “kokërr të qejfit” a thua është diçka që atyre nuk u përket. Heshtja është akti më i dhunshëm që një shtet Ballkanik mund të ndërmarr, heshtja është akti më i lart i tradhtisë ndaj çështjes kombëtare. Nuk mund të bëjmë sehir duke parë sesi problemet zgjidhen me marrëveshje bilaterale. Na vjen mirë ose jo, kemi këllqe ta artikulojmë ose jo, tani fati i Kosovës nuk është i pandashëm nga ai i joni.

Lexo edhe: