Kush është i penduari i Rinasit, ai ka zbuluar detaje të rëndësishme për shokët që organizuan g.rabitjen

Ka qenë Alkond Bengasi ai që zbuloi emrat dhe rolet e anëtarëve të tjerë të bandës g.rabitëse në Rinas. Alkondi është i penduari i bandës e cila grabiti 6,5 milionë Euro në pistën e Rinasit më 9 Prill.

34-vjeçarit nga Elbasani i është dhënë statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë dy ditë më parë pasi nga dëshmia e tij është mundur të shkohet tek Klement Çala, organizatori i supergrabitjes dhe anëtarët e tjerë të bandës për të cilët ai kishte dijeni. Sipas burimeve nga Prokuroria, Bengasin e ka tradhëtuar një gjurmë gishti të cilën e kishte lënë në furgonin e grabitjes.

Nga dëshmia e tij dhënë deri tani është bërë i mundur të mësohet se si u modifikua furgoni me logon e hetimit në servisin e Eldi Çalës në Elbasan, vëllai i Klement Çalës. Gjithashtu ai ka qenë personi i cili ka dhënë dhe 3 emrat e tjerë, Saimir Çela, Renaldo Sula dhe Oltjon Veseli të arrestuar gjatë fundjavës së kaluar. Veseli dyshohet se ka pasur rol kryesor në grabitje pasi dyshohet se ka marrë pjesë direkt në të. Ai dyshohet se është një nga 5 personat që ka hyrë në pistë, megjithatë kjo pritet të konfirmohet.