Kush tallet me protestuesit e dëshpëruar dhe të varfër, përfundoftë nën ta!

Nga Arbër Zaimi

Ju mendoni se ata burra e gra me këpucët e grisura e plot baltë e me teshat që përcjellin dëshpërimin e rrethinës do të dilnin të protestonin vetëm se ua kërkoi filani e filanja? Jo. Ata, njësoj si protestuesit e 21 janarit 2011, nuk po protestojnë për liri e demokraci, as për barazi e drejtësi, as për kolltuk të dikujt, e fatkeqësisht as për program politik.

Ata që s’kanë të mbushin barkun e që pështirosen prej kërpudhave në pushtet, janë të njëjtët në 21 janar dhe sot. Ata që s’dinë të shkruajnë parrulla të lezetshme, që kapen nga mediat gafil në gjeste primitive me shtiza e gurë, apo bëhen objekt talljeje kur mes tyre gjendet ndonjë epileptik.

Ata janë të mallkuarit e Shqipërisë, që duken të shëmtuar nga kolltuku i snobit që i sheh në tv a internet, që duken vulëhumbur nga smartfoni i djalit a vajzës së tyre që u bë student dhe mendon se ka prekur qiellin me dorë.

Ata janë pjesa e pakëndshme e realitetit, janë teshat e palara që duhen larë fshehurazi botës, janë të papunë e punëtorë të keqpaguar që shpresojnë t’u vijë koha të hanë dhe ata diçka, nga ky shtet i konceptuar si tepsi ku fut dorën kush të mundet. Ata mund të protestojnë edhe kundrejt pagesës me pak lekë, përballë pushtetit që po ashtu i blen votat e të ngjashmëve të tyre, me shumë pak lekë. Kush mendon se është më i moralshëm se ta, le të mendohet mirë.

Atyre mund t’u mungojë koncepti politik apo mund të kenë koncept politik të gabuar e të trashë, sepse kur ke barkun bosh s’ke kohë të hollohesh, por edhe sepse barkplotët e pushtetit po ashtu janë të trashë e injorantë e derra.

Mirëpo kush tallet me ta, përfundoftë nën ta.