Ky është vetëm fillimi i fundit



Gëzoi Edi Rama që shënoi rastin e parë në historinë postkomuniste, që një parti fiton mandatin e tretë qeverisës. Gëzoi me të drejtë!



Ironik e arrogant si gjithmonë, pjesë të gëzimit të tij bëri edhe kunjat drejtuar Lulzim Bashës.
Mëse të merituara për këtë të fundit. Dorëheqja e këtij njeriu dhe kthimi mbrapsht andej nga ka ardhur është më e pakta për Lulzim Bashën. Ky njeri do të mbahet mend si njeriu që shkërmoqi të vetmin mekanizëm funksional në një demokraci: opozitën.
Gëzoi me te drejtë Edi Rama sepse kësaj here ai arriti fitoren më të madhe të tij: shkatërroi LSI-në, partinë e Ilir Metës që ka vite që i merr elektorat të majtë dhe i fut shkopinj nën rrota. Monika Kryemadhi, pa stofën e duhur politike, çoi ujë në burimin e Edi Ramës, çdo ditë e nga pak.



Dhe ja ku jemi.

30 vjet pas rrëzimit të një sistemi diktatorial, Shqipëria ka hedhur themelet e dyta të forta për ndërtimin e nje tjetër totalitarizmi. Ky, nuk të internon në fshatrat e Lushnjës. Ky lloj totalitarizmi i ri të ushqen me lugën bosh. Ta merr mendjen me projekte 3D, ndërkohë që sakaton çdo qindarkë të shqiptarëve. Ky rend i ri të bën presion me patronazhistë. Të kontrollon jetën, telefonin, lagjen, dhomën e gjumit. Gjithçka! Të përdor siç ia do qejfi dhe është aq i aftë në propagandë sa edhe kur të përdor mish për top, ti, qytetar i këtij vendi, hutohesh dhe merresh me detajet më të parëndësishme, duke harruar thelbin: të drejtën për të jetuar i lirë; të drejtën për të zgjedhur e folur i lirë. Ky sistem të kërcënon me vendin e punës, me mafiozë që bredhin rrugëve duke blerë e shitur vota, të heq të drejtën ti kërkosh ndihmë drejtësisë, ta pret hovin për çdo lloj shprese dhe optimizmi për të jetuar këtu.

Ky sistem totalitar i instaluar tashmë është vetëm fillimi i fundit.

Me arrogancën që e karakterizon, Edi Rama festoi mandatin e tretë si kryeministër. Sipas tij, me te drejtë.

Por le ta shohim fare perciptazi këtë fitore të tij. Po i lemë për një moment analizat e thella, shkaqet dhe pasojat.
Në zgjedhjet e 25 prillit, votuan vetëm 45.7% e shqiptarëve. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje pas vitit 1991. Një reagim në heshtje i asaj shtrese që mban në jetë një shoqëri. Një refuzim që askush nuk do ta lexojë. Në këtë përqindje bëjnë pjesë edhe mbi 80 mijë fletë votimi të pavlefshme, ose 5% e atyre që kanë votuar. Shifër e mjaftueshme për të pasur një alternativë të re politike, që në realitet mund të gjendet, por nuk guxon të shfaqet.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, njeriu më i votuar rezulton të jetë, Taulant Balla!

A e kuptoni tani të vërtetën e këtyre zgjedhjeve?!

Edi Rama fitoi dhe festoi për këtë.
Lulzim Basha po vret mendjen se çfarë duhet të bëjë? Me çfarë do e mbushë kohën 4 vitet e ardhshme.
Ilir Meta është çmendur dhe s’po di çtë bëjë e ku të futet.

Ndërsa 60% e shqiptarëve janë strukur të trembur, refuzues, të pazotë për të folur e vepruar dhe me shumë mundësi me valixhet gati për të ikur nga sytë këmbët sapo kufijtë e botës të hapen.

Po, po, ky është vetëm fillimi i fundit tonë. Prandaj hijenat po gëzojnë kaq shumë!/Pamfleti

Lexo edhe: