Lajme të mira nga Gjermania, po kërkon punëtorë sidomos nga këto vende. Shqiptarët duhet të gëzohen



Gjermania ka nevojë për fuqi të huaj punëtore, ndaj qeveria po përshpejton procesin e ardhjes së ekspertëve të huaj. Në Bonn është hapur një shërbim i ri që do të koordinojë procesin e njohjes së diplomave.



Ekonomia gjermane varet nga fuqia e jashtme punëtore. Qeveria federale për këtë shkak ka nisur një program për sjelljen e fuqisë së huaj punëtore dhe ekspertëve nga vendet tjera në Gjermani, nën moton – „Make it in Germany“. Ky është prioriteti nacional. “Pa ekspertë të huaj nuk mund ta mbajmë mirëqenien e tanishme. Nuk është e mundur që të presin tepër gjatë këta njerëz, duhet të punojmë për mundësinë e ardhjes së tyre“, deklaroi ministri i Punës Hubertus Heil.



Enti gjerman për statistika pohon se numri i shtetasve të gatshëm për punë në Gjermani do të zvogëlohet deri në vitin 2035 për katër deri në gjashtë milionë punëtorë. Në shumë fusha ekonomike ka mungesë të fuqisë punëtore. Sipas të dhënave të Odës gjermane për Industri dhe Tregti (DIHK), madje 56 përqind të sipërmarrjeve mendojnë se mungesa e fuqisë punëtore është për momentin problemi më i madh i tyre.

Çdo e treta sipërmarrje gjermane në vitet e kaluara ka angazhuar fuqi punëtore nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, respektivisht nga vendet e treta. Shumë sipërmarrje gjermane për shkak të mungesës së fuqisë punëtore nuk mund të pranojnë kërkesa të reja dhe janë duke përjetur dëme të mëdha financiare.

Procedura më e thjeshtë dhe e shpejtë

Gjatë një vizite në këtë Qendër, Karliczek dhe Heil kanë demonstruar se si do të duhej të dukej kjo në jetën e përditshme. Personat që janë të interesuar për punë në Gjermani duhet fillimisht të kontaktojnë Qendrën ZSBA, e cila do t’ju ndihmojë në përgatitjen e dokumentacionit të plotë që nevojitet për njohjen e kualifikimeve. Zyra mund të këshillojë në forma të ndryshme: përmes chat, me postë elektronike apo dhe me telefon. Kërkesat e personave do të shpërndahen dhe dërgohen tek institucionet e duhura në nivelin e landeve.

Por ajo që në njërën anë ndihmon Gjermaninë (me rregullat e reja për ardhje në këtë vend), në anën tjetër krijon probleme të mëdha – nga juglindja e Evropës nuk po largohen vetëm kuadrot më të kualifikuara me diploma universitare, por edhe forca sanitare, automekanikë dhe punëtorë të tjerë. Nga Kroacia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina largohen për në Gjermani rreth 100.000 persona.

A është qeveria gjermane e vetëdijshme se çfarë do të thotë kjo për tregun e punës në këto vende? Përgjigja e Heil ishte: “Ne kemi bërë disa marrëveshje bilaterale, për shembull që të mos tërheqim sanitarët nga vendet që kanë nevojë për këtë fuqi punëtore. Megjithatë mendoj se duhet të respektohet liria e lëvizjes dhe nga organizimi i mirë mund të përfitojnë të gjitha palët. Kjo në fund forcon edhe raportet mes vendeve tona.“/DW