Liqeni “noton” në mbeturina, kryebashkiaku shqetësohet për emrin. Skandali me dy bashkite Shkodër e Malesi e Madhe dhe heshtja perballë një katastrofe mjedisore

Të dy bashkitë, ajo e Shkodres dhe e Malësisë së Madhe kanë shpallur prioritet të tyre mjedisin, madje duke propaganduar se pastrimi i territorit mbetet një nga shqetësimet kryesore për të cilin po punojnë që ti japin zgjidhje. Por nga e thëna në të bërë qëndron në mes një det i tërë dhe në vend që të kontribuojnë për reduktimin e efekteve negative në mjedis, këto dy bashki janë ndotëset më të mëdha të një prej zonave të mbrojtura, sic është liqeni i Shkodres.

Kufiri mes dy bashkive, i njohur ndryshe si vija e Vrakës është kthyer në një landfild mbeturinash, e ku zona rrezikon një katastrofë të vërtetë mjedisore. Duke ja lënë fajin njëra tjetrës, dy bashkitë nuk kanë denjuar që sëpaku të marrin një aksion të përbashkët për largimin e tyre, vendosjen e kontenierëve dhe pse jo aplikimin e masave ndëshkimore ndaj cdo qytetari apo biznesi që hedh mbetjet atje. Ndotja e lartë, madje edhe me mbetje të rrezikshme, apo kafshë të ngordhura ka bërë që të rrezikohen edhe gjallesat në liqenin e Shkodres. inspektoriati mjedisor që paguhet për të kontrolluar territorin dhe ndëshkuar bashkitë për mos veprim, është zhdukur në drejtim të paditur dhe drejtuesit e tij nuk e dijnë se cfarë bëhet në Shkoder.

Ata disa herë kanë paralajmëruar për gjoba, por në realitet nuk kanë marrë asnjë veprim për të shpëtuar këtë zonë. Prej 14 vitesh liqeni i Shkodres ka statusin e një zone të mbrojtur Ramsar, por për fat të keq me një ndotje të tillë, shumë vlera i kanë humbur dhe imazhi që sot përcjell tek vizitorët lë për të dëshiruar.

E ndërsa kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj shqetësohej për faktin se ai quhej liqeni i Shkodres kur sipërfaqja në Malësi është më e madhe, do të duhej të merrej fillimisht me mbetjet që më së shumti janë në territorin e tij, e t’i jepte pse jo leksion edhe kryebashkiakes së Shkodres. Por jo asnjëri nuk e bëri dhe për 4 vite ato dështuan në këtë mision, e po vijojnë me të njëjtën rrugë edhe në vitin e peste të qeverisjes vendore të dy territoreve./ShkodraNews