Listat e kandidatëve i prishin “qetësinë” Lulzim Bashës, nisin hatërmbetjet dhe lëvizjet



“Kokat e prera” nga komisioni i vlerësimit në partinë demokratike ka rritur friken e përçarjes në orët e fundit, menjëherë pasi në skenë dolën emrat që mund të mos jenë pjesë e listës Basha për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Interesant ishin kandidatët e Shkodres, ku i vetmi që kaloi mes 27 emrave pjesë e listës së veçantë ishte Bardh Spahia, emri më i kontestuar nga demokratet verior në votimet e 30 shtatorit. Ai ishte në prag të eliminimit nga gara pasi shkoi drejt 400 votave kundër, por komisioni e kaloi të parin dhe të vetmin pa asnjë kontestim.



Ndërkohë mes kandidatëve nga lista e veçantë kombëtare që sipas vlerësimit të Komisionit kalojnë në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi, ishin 3 ish deputetët e Shkodres: kryesuesi i listës Romeo Gurakuqi, e dyta e kësaj liste nga zgjedhjet e 2017-es Izmira Ulqinaku si dhe Lorenc Luka, ish kryebashkiaku i PD. Informacioni që dha komisioni ishte sipërfaqësor, pa shpjeguar kriteret e këtij klasifikimi dhe aq më pak përse u bë një lloj ndarje e tillë, në një kohë kur cdo votë është e vlefshme për këtë forcë politike që prej 8 vitesh ndodhet në opozitë. Impakti që pati në media, e nxiti me shpejtësi Lulzim Bashën që ti thërriste në një takim, apo të paktën kështu u përfol në mediat pranë tij, pasi zyra e shtypit nuk e ka konfirmuar ende një gjë të tillë. Siç duket tek kryetari i PD ka nisur menjëherë frika se votat mund ti rrjedhin, pasi në skenë po dalin forca të reja politike me prirje të djathta, e në një kohë kur vala e pakënaqësive është në rritje brenda opozitës, kjo mund të ishte një goditje e rëndë për PD-në që kërkon të vijë në pushtet.



Llogarite sic duket Lulzim Basha nuk i ka bërë mirë dhe në këtë pikë, edhe pjestarët e komisionit vlerësues që me shpejtësi dolën të mbrojnë zgjedhjet e tyre, janë dëshmi e mirë se çatia e selisë blu ka nisur të pikojë, e rrjedha mund të rritet edhe më shumë me ditët që kalojnë. Gara nuk do të jetë aspak e lehtë për 25 prillin e 2021, e Shkodra është një prej zonave ku mund të prodhojë rezultate surprizë.