Loja e pisët me punonjësit shkodranë, si po përgatitet vala e re e shkarkimeve nga puna

Një valë të re largimesh nga puna pritet të shënjojnë javët e ardhshme në qarkun e Shkodres. Kjo për faktin se zhvendosja e drejtorive drejt Lezhës, ka ndryshuar edhe rregullat e lojës për të gjithë të punësuarit në administratën publike, përfshirë këtu drejtorinë e mjedisit apo inspektoratin e punës. Në redaksinë e shkodraneës kanë mbërritur me dhjetëra denoncime në këto orë të cilat dëshmojnë lojën e pisët që po luhet nga titullarët e rinj në Lezhë me vartësit e Shkodres. Ja çfarë shkruajnë punonjësit në denoncimin e tyre: “Përshëndetje, ne që po ju shkruajmë jemi punonjës të një prej drejtorive që së fundmi është zhvendosur në Lezhë. Nuk po identifikohemi për shkak të pasojave që mund të kemi në punë, por ajo që duam të na bëni publike është një fakt skandaloz që na është kërkuar që në ditën e parë të prezantimit në punë. Çdo mëngjes në orën 08.00 ne duhet të paraqitemi në punë në drejtorine e re tashmë të zhvendosur në Lezhë, e ku pasi të kemi marrë planin e punës, duhet të shpërndahemi në terren në përmbushje të tij. Pra e thënë më pak fjalë, çdo ditë nga e hëna në të premte duhet të jemi në Lezhë në orën 08.00, e pas mbledhjes të rikthemi në Shkodër për të vijuar punën. Pa llogaritur kërkesat e tjera, vetëm ky fakt është skandaloz pasi i bie që ne të punojmë më shumë se 8 orë, e paralelisht të shpenzojmë para nga xhepi ynë për të udhëtuar drejt Lezhës, së paku duke u nisur në orën 07.00 nga Shkodra që të kapim orarin. Një gjë e tillë është absurde, pasi duke pasur parasysh pagat që ne kemi, i bie që mbi 30% e saj të na shkojë për të paguar karburantin që shpenzojmë për të qenë në orarin e mbledhjes. E gjitha kjo sipas nesh po bëhet me qëllim që të lëmë punën e ti hapim rrugë punësimeve të reja që drejtoria në Lezhë kërkon të bëjë edhe në Shkoder. Ju drejtohemi ju sepse nuk dijmë se ku të ankohemi tjetër, pasi askush nuk na dëgjon, i kemi shkruar madje edhe deputeteve të qarkut, por asgjë deri më tani”, përfundon denoncimi. Një dëshmi e tillë tregon edhe njëherë tjetër pseudo reformat e kësaj qeverie dhe faktin se si në mënyrën më skandaloze ajo tallet me vartësit e saj, nën pretekstin e një menaxhimi ndryshe të këtyre institucioneve publike./ShkodraNews