Lojtari i Vllaznisë e pranon: Nëse nuk shkëputemi, atëherë….

Starti i Vllaznisë në Kategorinë e Parë ka qenë i mirë, edhe pse shkodranët luajnë në një kategori më inferior se Superiorja. Gjithsesi pas 8 javësh, kuqeblutë kryesojnë me meritë. Por, tashmë rruga drejt ngjitjes në Superiore do të bëhet më e vështirë. Këtë mendim ndan edhe kapiteni i shkodranëve, Gilman Lika.

“Mendoj se situata që po kalojmë nuk ka shumë vend për komente. Nuk ka ku shkon më mirë ku në 8 takime kemi marrë 7 fitore dhe vetëm një barazim, ku edhe në atë sfidë duhet që të kishim fituar. Gjithsesi, e shikoj se nga takimi në takim gjithçka do të jetë më e vështirë. Rritet presioni ndaj skuadrave dhe ato do të bëjnë të pamundurën për të arritur te rezultati, duke përdorur të gjithë mënyrat. Prandaj, mund të them se duhet që të bëjmë më të mirën dhe maksimumin tonë në këto 10 takime të mbetura deri në fund të dy fazave të para që në fund të mos vuajmë. Vetë formula e kampionatit është e atillë që pikët përgjysmohen dhe nuk duhet që të lëmë çështjen e kalimit në Superiore që të varet nga një apo dy takime. Prandaj duhet të vazhdojmë me këtë ritëm në mënyrë që dy fazat e tjera t’i kemi më të lehta.”

Ndërkohë përsa i përket rivalitetit në këtë kampionat, Lika shton: “Nuk them se nuk kemi rival. E dëgjoj andej-këndej një gjë të tillë, por jam i mendimit se Erzeni, por edhe Dinamo e Besëlidhja kanë skuadra të mira. Janë skuadra që të nxjerrin punë si në fushën e tyre, por edhe në fushën tënde. Por, e thashë edhe më lart se nëse ne nuk realizojmë atë objektiv që i kemi vënë vetes që të shkëputemi sa më shumë në dy fazat e para, atëherë me këta kundërshtarë do ta kemi të vështirë në dy fazat e tjera. Unë i vlerësoj si kundërshtarë dhe skuadra rivale për atë që kanë treguar deri tani, por të jem i sinqertë s’e kam besimin e plotë se nuk e vëmë në dyshim arritjen e objektivit që kemi.” /ShkodraNews