Lojtari serb i Vllaznisë “çmend” Serbinë me këtë foto

Para ndeshjes me Teutën, atmosfera në kampin shkodran duket e qetë. Po flasim për ekipin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Skuadra e drejtuar nga Neven Plantak ka një sfidë delikate në Durrës, aty ku fitorja do të jetë shumë e vështirë, por do të tentohet deri në fund.

Në prag të kësaj ndeshje, faqja zyrtare e ekipit të Vllaznisë në basketboll ka postuar një foto të disa lojtarëve të kësaj skuadre në një nga lokalet e Shkodrës. Siç shihet nga fotoja në kafe janë kapiteni i skuadrës, Erjon Llazani, tre basketbollistët e huaj: Leo Svete, Malik Carter dhe blerja më e fundit Pavle Cvetinoviç. Por, bashkë me to është edhe ish-basketbollisti i Vllaznisë, Herion Faslija.

Ky i fundit është larguar para pak ditësh nga ekipi i Goga Basket dhe flitet për një rikthim të tij tek Vllaznia. Por deri tani, nuk ka një lëvizje konkrete. Gjithsesi, ajo që e bën të veçantë këtë foto është shqiponja që bëjnë lojtarët, madje duke përfshirë këtu edhe basketbollistin serb Cvetinoviç, që nëse shihet në Serbi nuk do të pëlqehet aspak nga bashkëkombësit e tij. /ShkodraNews