FOTOT/ Skàndali në “Loro Boriçi”, shihni në ç’gjendje është pak kohë pas inagurimit të pistës



Ska’ndali me pistën e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodres, i cili nuk u çertifikua nga institucionet ndërkombëtare të sportit, nis të marrë zgjidhje. U ndërtua në vitin 2017 për të kompletuar investimin e realizuar në “Loro Boriçi” prej qeverisë dhe federatës shqiptare të futbollit.



Por pak pas inaugurimit, jetëgjatësia e pistës së Tartanit në këtë impjant sportiv nuk zgjati dhe nisi të shfaqë problemet e para. Shkak u bënë punimet e dobëta të realizuara në të, të cilat shkaktuan debate e përplasje mes qeverisë dhe FSHF-së.



Duke parë fryrjet e pësuara dhe rrezikun që ai paraqiste për atletët, federata vendosi të hedhë në gjyq kompaninë ndërtuese. “Drejtësia” i dha të drejtë organit të lartë të futbollit shqiptar që ka fituar gjyqin dhe kompania është e detyruar ta ndërtojë nga e para pistën e “Loro Boriçit”. Për këtë arsye prej ditësh ka nisur puna në terren ku po kryhet heqja e tartanit të vjetër.

Pas kësaj faze do të kryhen nivelimet e kërkuara dhe me të favorizuar kushtet atmosferike do të nisë puna për shtrimin e tartanit të ri. Të gjitha këto punime do të bëhen me kosto të mbuluara nga kompania, e cila ka qenë përgjegjëse për cilësinë e dobët të ndërtimit në 2017-ën.

Me përfundimin e ndërhyrjes në terren, FSHF ka bërë të ditur se do të kërkohet edhe leja nga organizmat europianë për zhvillimin e garave ndërkombëtare në pistën e tartanit. Kështu, atletika shkodrane dhe ajo shqiptare merr një lajm të mirë, teksa brenda këtij viti pritet që të ketë në dispozicion për garat një terren të ri. Shpresohet që së paku këtë herë punimet të mos bëhen kuturu dhe të rrezikojë që pista të ketë të njëjtin fat si ajo e para. /ShkodraNews