Lubonja: Po të isha unë do kisha hyrë në zyrën e Ramës

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në News24, ka komentuar protestën e sotme të opozitës. Sipas tij, pati një strategji të qeverisë, për të lejuar sulmin ndaj institucionit dhe kjo u dëshmua nga lehtësia me të cilën protestuesit çanë kordonin e policisë. Sipas Lubonjës nuk mund të quhet vandalizëm ajo ç’ka ndodhi, krahasuar me çfarë u ka bërë kryeministri qytetarëve.

“Po të isha unë, do të kisha hyrë në zyrën e Edi Ramës. Në mënyrë simbolike do t’i kisha nxjerrë pikturat, por edhe koshin e basketbollit se ajo nuk është zyra e tij private. Këtë do e kisha bërë në mënyrë simbolike. Le ta marrë vesh gjithë bota se kush qeveris. Ai e meritonte një goditje simbolike”.

Lubonja u shpreh gjithashtu se gazi lotsjellës i hedhur nga garda, kishte efekt shkatërrues dhe se ai vetë duke qenë pranë kryeministrisë, është prekur prej tij.

“Kishte nje strategji nga qeveria, që ta përdorë dhunën për qëllimet e veta propagandistike. Ndërsa kundërshtari, e përdori dhunën si presion. Të dy kanë marrë dëmet dhe favoret e veta nga kjo dhunë. Aty nuk kishte një kordon policor të përgatitur për të mbajtur një masë të atillë njerëzore.

Përgatitja me gaz lotsjellës dhe maska, tregonte se strategjia ishte lejimi për tu sulmuar institucioni. Gazi lotsjellës, siç e provova edhe vetë, efektin nuk e kishte vetëm rrotull kryeministrisë, por efekti shkatërrues shkonte deri te presidenca, prandaj duhet të ikje për të shpëtuar pa u helmuar. Pra, do të shkatërrosh protestën? Hidh ca bomba dhe largohen njerëzit”, – u shpreh analisti.

Lubonja tha se në media flitet shumë për dhunën në protestë, por jo për dhunën institucionale që ushtrohet çdo ditë nga qeveria.

“U përmend këtu që kishte dhunë në protestë, por ne kemi qeveri që po përdor dhunë, sic ka bërë aty te Astiri. Kemi qeveri që kërkon të çojë veprimet e paligjshme deri në fund. Me dhunën strukturore që ka përdorur, ka pësuar pak shumë nga qytetarët. Këtu kam vërejtje për Berishën, Bashën. Ata thonë distancohemi nga dhuna, po mirë çfarë duan ata? Dhuna është mesazh simbolik, nuk po kërkohet të përmbyset me dhunë qeveria.

Kemi një kryeministri që në mënyrë të dhunshme, ka disa simbole që po të isha unë, do të kisha lejuar edhe dhunë të ndodhte. Ka një kat të parë aty, që kryeministri e ka bërë qendër dialogu. Keni parë ndonjë dialog ju aty? Ndonjë mendim ndryshe? A bëhet dialogu në shtëpinë time apo tënden? Dialogu bëhet në një vend të tretë. Ky thotë hajde bëni dialog në shtëpinë time”, – u shpreh Lubonja.