Lulzim Basha rrezikon të bjerë sërish në kurthin e Voltanës

Lulzim Basha rrezikon të bjerë sërish në kurthin e Voltana Ademit dhe njerëzve të paguar prej saj, për ta rikandiduar për një mandat të dytë në krye të bashkisë Shkoder. Një fakt ky i rëndë që mund të shënojë për herë të parë në historinë 28 vjeçare të demokracisë shqiptare, humbjen e atij që me të drejtë është quajtur bastioni i pathyer i demokrateve, bashkia më e madhe e veriut të vendit.

Ademi prej javësh ka nisur lobimet, me pagesa të njerezve pranë saj dhe njëkohësisht të kryetarit Basha për ta arritur këtë gjë, ndërsa në dalje publike nuk ndalet se viktimizuari të vetes si një e përndjekur politike. Këtë gjë nuk hezitoj ta bëjë edhe këtë të enjte ndërsa nuk mori pjesë në protestën e opozitës, por nga Shkodra sulmoi partinë socialiste dhe sjelljet e qeverisë, si për t’i treguar Bashës se ajo vijon të mbetet një antikomuniste.

Megjithëse në këtë rast ka kontradita të mëdha, pasi në krahun tjetër i hap dyert ministrave të Ramës, edhe atëherë kur Basha i sulmon, apo i shpall “armiq” të Shqipërisë Europiane. Loja e Ademit është e dukshme në cdo veprim që po bën javët e fundit, që nga tenderat e pafundëm miliona lekësh, gjoja investimet e vrullshme në Shkoder që nuk u panë në 3 vite, e deri tek deklaratat publike tërësishst farsë. Por kryetarja e bashkisë nuk ndalet me kaq, pasi për të mbushur orekset e Bashës, e si për të treguar se ajo mund t’i shërbejë në momente të vështira kryetarit, ndonëse nuk e bëri këtë gjë për 3 vite, po i dërgon në Tiranë, Lezhë apo kudo që i nevojiten, protestues të administratës që drejton, pa pyetur për orare e ditë pune që paguhen nga të gjithë taksapaguesit, të majtë e të djathtë.

Ademi ka zgjedhur të kyçë pjesën më të madhe të drejtorive, e titullarët dhe vartësit ti nisë në shërbim të partisë, vetëm e vetëm me shpresën se Basha do ta kandidoj edhe një mandat tjetër, për ti dhënë mundësinë që me arrogancën e saj, interesat klienteliste të mund të mbajë atë karrige. Por Basha duhet të bëjë mirë llogaritë, mes oreksit të Ademit dhe asaj që duan qytetarët e Shkodres, të djathtë e jo vetëm, që në këto 3 vite e gjysëm nuk panë asgjë nga kjo kryebashkiake, që e zhyti më në mjerim qytetin, e drejtoi pa vizion dhe vetëm prodhoi lajme me konfliktualitete shterpë me qeverinë, duke e përdorur si maskë të mungesës së investimeve, ndërsa gllabëronte fondet e vetë të ardhurave vendore./ShkodraNews