Lulzim Basha shpërfill strukturat e PD në Shkodër



Lulzim Basha shpërfill strukturat e PD në Shkoder, duke u mjaftuar me takimet e zhvilluara me biznesin dhe kryetaren e bashkisë dhe asgjë më shumë. Për çudinë e të gjithëve, numri një i forcës më të madhe opozitare ka zgjedhur të anashkalojë degen lokale, ndonëse strukturat e saj do të duhej të ishin të parat që të takoheshin e të falenderoheshin për angazhimin e tyre në cdo nisëm të PD, e së fundmi edhe në zgjedhjet e brendshme.



Anashkalimi i tyre sipas burimeve lidhet me pakënaqësitë që Basha ka akumuluar nga votimi i zhvilluar, prej ku disa prej emrave të ish deputeteve dhe vetë kryetares në detyrë të bashkisë ishin më të konstestuarit. Kryetari demokrat mësohet se është informuar edhe për aleancat e krijuara dhe kjo ka ndikuar që ai të shmang një ballafaqim me këto të fundit, pikërisht në të tilla momente kur aksioni i opozitës është përqëndruar tek pandemia dhe kritikat e vazhdueshme ndaj qeverisë. Ardhja në Shkoder ngjau më shumë si një surprizë, pasi selia qendrore kishte informuar pak persona për ardhjen e Lulzim Bashën në qytetin e konsideruar ndër vite si bastioni i demokrateve.



Pritja që ju bë Bashës në qytet ishte e vakët dhe kjo u pa edhe në takimet që ai pati me biznesin në zonën e Çinarit, ku dalja e tij ngjau më shumë si dalje e detyruar, sesa një “nevojë” qe ky sektor kishte t’i shprehte shqetësimet opozitës. 5 bizneset që takoi Basha bashkë me ato në sheshin përpara shkollës “28 Nëntori” të thirrur nga bashkia, dëshmuan edhe njëherë tjetër panoramën e dobët që ka opozita në prag fushatën elektorale të 25 prillit 2021, ku synon ardhjen në pushtet pas 8 viteve qeverisje të Edi Ramës.