Lumë gjobash në gjithë vendin për maskat, ka edhe të shoqëruar në Komisariat



Gjatë 24 orëve të fundit jane vendosur gjithsej 810 masa administrative për qytetarët që janë konstatuar pa maska mbrojtëse.



Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.



Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 645 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 165 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerët pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.