Mark Marku, ende s’ia mori ‘dorën’ aplikimit: Ore s’më hapet platforma E-Albania, e provova prapë

Pedagogu i gazetarisë Mark Marku tha se platforma E-Albania nuk funksionon për të marrë leje, ndërsa ka treguar edhe njëherë tentativat e tij për tu regjistruar.

Ai tha se personat të cilëve i duhet një leje urgjente nuk mund ta marrin në kohë reale, ndërsa theksoi se shumë qytetarë nuk dinë si të regjistrohen pasi kanë pak përvojë me internetin.

“Këtë problem me sistemin nuk e kam vetëm unë, e kanë pafund njerëz. Duke qenë se shkruaj dhe mbaj qëndrime publike, unë e shpreha sepse është shqetësim publik. E dyta, AKSHI duhet ta dijë se unë jam një person që mund të jem i pari që kam përdorur kompjuter në Shqipëri, jam ndër të parët që përdor celular. Unë pjesën më të madhe të punës e kam bërë me teknologji”, u shpreh Marku në një lidhje me News 24.

Ndërkohë, për masat e marra Marku i cilësoi të nevojshme dhe tha se i mbështet kufizimet.

“Masat mendoj se janë të nevojshme. Këtu janë masa më të mëdha sesa në Europë, por edhe këtë e kuptoj, sepse shteti është në një situatë më të dobët se cfarë janë shtetet e tjera europiane. Duhen kufizime të forta, sepse shteti nuk ka mundësi të funksionojë ndryshe. Kufizimet i mbështes. Kufizimet do të duhet që të kenë edhe masa të tjera. Qeveria nuk po mbështet bizneset, as qytetarët. Shërbimi mjekësor në shtëpi nuk të vjen. Ka ankesa pa fund për mungesë të shërbimeve”, nënvizoi ai, teksa kërkoi që të ndihmohet media.

“Media si biznes duhet ndihmuar, por dhe si një shërbim publik. Propaganda kundër mediave ka qenë konstante në këto 7 vite. Ai e ka paraqitur si rrezik median, në mënyrë që të adoptojë mediat, në mënyrë që praganda e vet të përcillet tek publiku”, theksoi pedagogu.