‘Marrëveshja PD – PS’, Paloka: U përhap prej disa shërbëtorëve të Ramës të paguar mirë e të përdorur keq

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka deklaruar në një intervistë për “Koha Jonë” se lajmin e rremë për një marrëveshje “të fshehtë” midis PD dhe PS, e përhapen me porosi disa prej shërbëtorëve të paguar mirë e të përdorur keq.

Kriza politike vijon dhe deri më tani nuk ka marrëveshje, si e kërkon kampi qeveritar. Opozita politike akuzon çdo ditë me fakte keqqeverisjen dhe lidhjet e zyrtarëve që sajë me krimin apo problemeve kriminale që kanë kryebashkiakët e dalë nga votimet njëpartike të 30 qershorit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, së pari mohon se ka ose do të ketë një marrëveshje mes PS-së dhe PD-së.

“Lajmin e rremë për një marrëveshje “të fshehtë” midis PD dhe PS (madje për një marrëveshje midis Bashës dhe Ramës), e përhapen me porosi disa prej shërbëtorëve të paguar mirë e të përdorur keq në media prej Ramës. As nuk ka e as nuk do të ketë marrëveshje të tillë”,– thotë Paloka.

Duket se pika kryesore e krizës janë zgjedhjet si ato lokale dhe parlamentare por për këtë duhet një Reformë Zgjedhore, për të cilën Paloka pohon se për PD-në kjo “zgjidhje” e krizës është periferike. Për këtë jep edhe arsyet.

“Ne si opozitë kemi përcaktuar si kushte për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, dënimin e atyre që janë kapur në dosjet 184 dhe 339 si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet.

Reforma zgjedhore, pa zgjidhjen e këtyre çështjeve, mbetet një problem fare periferik. Ata që kërkojnë të paraqesin si “zgjidhje” të krizës së Reformës Zgjedhore, në rastin më të mirë janë jashtë realitetit, janë në ajër”.

Lidhur me vizitën e kreut të qeverisë në Berlin, nënkryetari i PD-së, e lexoi si vizitë për çeljen e një ekspozite dhe qëllim për Integrimin.

“Si fillim, ju e morët vesh që Rama interes të parë në Berlin nuk kishte integrimin e Shqipërisë po ekspozitën e rradhës, ku po merr pjesë në kryeqytetin gjerman.

Sa për hapjen e negociatave, Shqipëria është i vetmi vend që me kalimin e viteve jo vetëm nuk po i afrohet hapjes së negociatave por vazhdojnë ti shtohen kushte dhe kërkesa”.

Me fillimin e sesionit të ri Parlamentar, po flitet për një marrëveshje të fshehtë PS-PD për realizimin e Reformës Zgjedhore. Sipas jush, nga duhet të fillojë marrëveshja politike për nxjerrjen e vendit nga kriza? Nga ana tjetër, parlamenti po punon me ligjin për kodin zgjedhor. Ju shqetëson miratimi i tij pa aprovimin tuaj si opozitë?

Lajmin e rremë për një marrëveshje “të fshehtë” midis PD dhe PS (madje për një marrëveshje midis Bashës dhe Ramës), e përhapen me porosi disa prej shërbëtorëve të paguar mirë e të përdorur keq në media prej Ramës.

As nuk ka e as nuk do të ketë marrëveshje të tillë. Sigurisht që zgjidhja e krizës do të vijë dhe mund të vijë vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje midis palëve e për këtë ne kemi qenë mese të qartë. Rama ka vërtetuar se është kryemanipulatori i zgjedhjeve në këtë vend.

Që prej zgjedhjeve të pjeseshme në Korçë e deri në farsën e fundit të 30 qershorit, Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur e manipuluar votën e shqiptarëve. Për këtë arsye ne si opozitë kemi përcaktuar si kushte për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, dënimin e atyre që janë kapur në dosjet 184 dhe 339 si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet.

Reforma Zgjedhore, pa zgjidhjen e këtyre çështjeve, mbetet një problem fare periferik. Ata që kërkojnë të paraqesin si “zgjidhje” të krizës së Reformës Zgjedhore, në rastin më të mirë janë jashtë realitetit, janë në ajër. Për t’u kthyer me këmbë në tokë ju mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it dhe përgjimet e dosjeve 184 dhe 339. Për fat të mirë, këto materiale janë edhe në anglisht.

Vetëm pasi të zgjidhen këto çështje mund të diskutohet dhe për Reformën Zgjedhore që kurrsesi nuk mund të bëhet pa opozitën dhe këtu sigurisht nuk e kam fjalën për surrogatot e Parlamentit po për opozitën reale. Në rast të kundërt do kemi një akt tjetër të grushtit të shtetit dhe rikthimit të diktaturës në këtë vend.

Si e komentoi vizitën e kryeministrit Rama në Berlin? Mbështetje apo shtim të kushteve për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE? Si do të jetë tetori? Fitore apo humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Si fillim, ju e morët vesh që Rama interes të parë në Berlin nuk kishte integrimin e Shqipërisë po ekspozitën e radhës, ku po merr pjesë në kryeqytetin gjerman. Sa për hapjen e negociatave, Shqipëria është i vetmi vend që me kalimin e viteve jo vetëm nuk po i afrohet hapjes së negociatave por vazhdojnë ti shtohen kushte dhe kërkesa.

Kjo ndodh jo se Europa “është ngurtësuar”, siç justifikohet Rama (pse nuk është ngurtësuar dhe me Maqedoninë e Veriut?) por sepse Rama në vend që të plotësojë kushtet që i janë vënë për të zgjidhur problemet që ato paraqesin, shton probleme të tjera, pra dhe kushte të tjera.

Nuk mund të ketë as hapje negociatash e as zgjidhje të krizës, pa dënuar krimin dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme. Sa të jetë Rama në pushtet asnjë “fitore” e asnjë e mirë nuk do ju vijë shqiptarëve, përveç kriminelëve dhe oligarkëve të tarafit të tij.

Përveç Kreut të Shtetit, për 13 tetorin opozita dhe maxhoranca nuk flasin. Do të ketë zgjedhje lokale në këtë datë? Do të marrë pjesë PD-ja? Çfarë ju kanë kërkuar aleatët për këtë pjesë?

13 tetori për ne është data zyrtare dhe kushtetuese e zgjedhjeve lokale e dekretuar nga Presidenti i Republikës, i vetmi që ka tagrin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve. Por siç është e ditur e siç e paraqiti qartë dhe raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it, në kundërshtim me ligjin, Rama urdhëroi shërbëtorët e tij në KQZ (e më pas “nën presionin e Vetting-ut” detyroi dhe Kolegjin) të bëhen pjesë e krimit më të fundit elektoral e kushtetues.

Në këto kushte, duke urdhëruar e mos lejuar funksionimin e institucioneve zgjedhore, Rama bllokoi zgjedhjet e ligjshme të 13 tetorit duke kryer, siç thashë dhe më lart, një krim elektoral e kushtetues për të cilin të gjithë përgjegjësit do të japin llogari përpara drejtësisë, kur ajo të funksionojë realisht si e pavarur.