“Marrëveshje e fshehtë mes Ramës dhe Bashës”, Meta mesazh të fortë: Larg pazareve…

Presidenti i Republikës Ilir Meta duke folur për krizën politike në vend, u ka bërë thirrje liderëve kryesorë të politikës që të mos fshihen pas ndërkombëtarëve por të ulen për të gjetur marrëveshje. Kjo marrëveshje sipas Metës duhet të jetë transparente dhe jo pazar.

Pyetje: Z. Meta, a do të ndërmerrni një iniciativë për një tryezë?

Meta: Dua t’ju siguroj juve dhe gjithë shqiptarët se Presidenti ka bërë të gjitha veprimet e tija prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale, por edhe përfaqësimi tashmë. Është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për ta thelluar këtë krizë, por përsëri është detyra ime të bëj thirrje për reflektim nga të gjithë, sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të shtetarëve tanë të cilët kërkojnë normalitet por njëkohësisht të vazhdojmë të shtojmë edhe kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në këtë rajon me sfida të rëndësishme dhe kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim.

Pyetje: A keni ndonjë koment mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve?

Meta: Mendoj se klasa politike duhet të marrë përgjegjësisë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari siç ka ndodhur deri tani dhe çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë transparence, parimore, larg pazareve dhe keqpërdorimeve qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari.