Mbajmë topin si Barcelona, para portës si Luksemburgu!

Nëse nuk do e shihnim ndeshjen, por vetëm statistikat në fund të saj, atëherë të gjithë do mendonim se ndaj Jordanisë kemi bërë ndoshta ndeshjen më të bukur të viteve të fundit. Madje, me një lojë si Barcelona, kjo për shkak të zotërimit të topit, 68% në favor të kombëtares tonë ndaj 32% të kundërshtarit. Por, në fakt nuk është aspak kështu.

Përkundrazi kemi bërë një ndeshje të dobët dhe pa ide të lojtarëve, nëse marrim parasysh kundërshtarin që kishim përballë. Ok, mund të jetë thjeshtë një miqësore dhe barazimi  0 – 0 nuk na prish punë, por ishte një takim i radhës ku trajneri Kristian Panuçi nuk mund të qëndronte pa kryer eksperimentet e tij, të cilat në fakt akoma nuk po i krijojnë një bosht lojtarësh për ndeshjet në vazhdim.

Me të vërtetë kemi qarkulluar shumë topin, por në drejtim të portës kemi bërë vetëm 3 gjuatje të sakta. Vetëm kaq dhe më pas topa të hedhur në drejtim të paditur dhe sa për ta larguar nga këmbët. Nuk duam të bëjmë rolin e trajnerit, por të gjithë biem dakort që me këtë lojë nuk marrim asnjë rezultat pozitiv as ndaj Izraelit pas pak ditësh në transfertë, por as edhe ndaj Skocisë në muajin tjetër në Shkodër. Dy takimet këto të vlefshme për kompeticionin e Ligës së Kombeve. /Shkodranews