Mbi 1 milion faqe me informacion, bëhen gati “dosjet e nxehta” për 410 gjyqtarë e prokurorë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka mbyllur procesin e verifikimit të pasurisë për gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Në total kanë hyrë në veting afro 800 persona, përfshirë këtu dhe këshilltarët e Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, është ILDKP institucioni i parë që bën verifikimin e pasurisë dhe më pas të dhënat ja kalon KPK.

Në përgjigjen e ILDKP për ”Sot”, bëhet me dije se është mbyllur procesi i verifikimit të pasurisë për plot 410 gjyqtarë e prokurorë, përfshirë këtu dhe të afërm të tyre.

“Aktualisht, ka përfunduar dorëzimi i më shumë se 50 % të subjekteve të rivlerësimit pranë KPK dhe ONM, në total 410 raporte të arsyetuara, bashkë me dokumentacionin e plotë, duke përfshirë këtu periudhën që prej tetorit të vitit 2017”, thuhet në shkresën e ILDKP.

Më tej është bërë e ditur se me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për realizimin e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurisë lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë, ILDKPKI dërgoi korrespondencën shkresore për marrjen e informacionit për më shumë se 3.000 persona, subjekte të rivlerësimit dhe persona të lidhur me ta.

“Kthimi i përgjigjeve të ardhura nga kjo korrespondencë, përfshirë dhe dokumentacionin e dorëzuar nga vetë subjektet e rivlerësimit, arrin në një volum të konsiderueshëm me rreth 1 milion e 200 mijë faqe për t’u administruar, vlerësuar, përpunuar dhe pasqyruar nëpër aktet e kontrollit. Ky proces kaq kompleks jo vetëm nga volumi i madh i informacionit të marrë dhe nevojës për vlerësim e përpunim nga ILDKPKI, por mbi të gjitha nga administrimi i tij në mënyrë tërësisht manuale nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces, krijoi jo pak vështirësi në menaxhim”, thuhet në shkresën e ILDKP.