Mbledhja e KLP/ Merret vendimi, caktohen prokurorët e rinj në Shkodër



Këshilli i Lartë i Prokurorisë merr vendimin, të tjera ndryshime të prokurorëve në institucionet e drejtësisë në Shkoder. Mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Këshilli miratoi projektvendimet Për caktimin e përkohshëm të prokurorit Albert Murçaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Lazër Çardaku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Brahim Dragjoshi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër. Këshilli miratoi projektvendimin për pjesëmarrjen të prokurorëve në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, sipas tabelës bashkëlidhur shkresës së ardhur nga Shkolla e Magjistraturës e cila ka njoftuar se në trajnimet e propozuara janë planifikuar të marrin pjesë gjithsej 7 oficerë të Policisë Gjyqësore, të emëruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme si dhe Prokurorive pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe Shkodër. Këta punonjës kanë shprehur interes dhe kanë aplikuar për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës, sipas temave të përzgjedhura. Gjithashtu, Këshilli miratoi në parim projekt-rregulloren “Për mënyrën e kompensimit për orët shtesë të punës të kryera nga nëpunësit civilë të prokurorisë”. Rregullorja ka si qëllim të plotësojë kuadrin ligjor të nevojshëm për të garantuar kompensimin e orëve shtesë të punës të kryera jashtë orarit zyrtar të punës, në ditët e pushimit dhe të festave zyrtare, në një nga format e parashikuara nga ligji dhe do t’i përcillet për mendim Ministrisë së Financave për shkak të efektit financiar që mund të ketë në buxhetin e shtetit.