Mbledhja sekrete, zbulohet strategjia e PS Shkodër për marrjen e bashkisë…

Pas komandimit të kryetarit të ri të Partisë Socialiste, pritet që brenda fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit të nisin ndryshimet e para në drejtoritë rajonale të Shkodres. Një gjë e tillë është lënë të kuptohet qartë në mbledhjen që zhvilloi PS këtë fundjave, ku i pranishëm ishin edhe i deleguari i qarkut Ditmir Bushati.

Komandimi i Edmond Eminit është theksuar qartë se vjen si një masë e parë e organizimit që duhet të nisë vrullshëm për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku është kërkuar që struktura të shkundet, e të dalë nga gjumi që e ka përfshirë prej muajsh. Beteja për Shkodrën është e vështirë dhe socialistët janë të vetëdijshëm se nuk e kanë aspak të lehtë që ta marrin këtë bashki, prandaj duhet të nisë puna për të freskuar imazhin në shumë prej drejtorive rajonale ku drejtuesit kanë mbi 3 vite punë, si dhe të sulmohet puna e pushtetit vendor aty ku është dobët.

Një tjetër detyrë e lënë është ajo e kontakteve sa më të shumta me njerëzit, me synim për të prezantuar gjitha investimet e qeverisë, por edhe për të marrë pakënaqësitë që lidhen me investimet lokale, e për të nxjerrë në pah mosrealizimet e pushtetit vendor. Jo vetëm në qytet, por sidomos në njësitë administrative duhet bërë një punë më e madhe pasi atje ka plot problematika, që ne duhet të jemi të vemendshem ti diskutojmë, e tu premtojmë zgjidhje, mësohet se ka qënë një nga porositë e lëna.

OSHEE ka qënë një nga drejtoritë që është kërkuar të përdoret për fushatën, në atë zona ku janë bërë investime, si dhe të premtohen projekte e një plan konkret se si të majtit do t’i sjellin rajonit të Shkodres më shumë investime duke qënë edhe në pushtet, nëse fitojnë bashkinë. Analiza e punës së cdo drejtorie ka qënë një tjetër fokusim i mbledhjes, ku këtë herë nuk ka patur debate, sic ndodh zakonisht me të pakënaqurit.

Ajo që ra në sy këtë herë në mbledhje përveç drejtuesve, PS kishte zgjedhur si strategji që ta niste mbledhjen me mësuesit e qarkut Shkoder, një lojë kjo politike që synon të shtrijë tentakulat edhe në institucionet e arsimit, aty ku ka votues për herë të pare, e që rekrutuesit më të mirë mund të jenë mësuesit, ata që japin dije./ShkodraNews

Lexo edhe: