Mbretëresha e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha dekorohet nga Presidenti Donald Trump

Mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, është dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes” nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Talenti i këngës vijon të bëjë krenarë çdo shqiptar në mbarë botën me zërin e saj magjepsës dhe të pakrahasueshëm, duke arritur të marrë vlerësime nga njerëzit më të fuqishëm e të pushtetshëm të botës.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e madhe.

Ndërkohë, lajmi për dekorimin e këngëtares së madhe nga Donald Trump u bë i ditur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“Tirana feston sonte ditëlindjen e “Mbretëreshës” së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Tiranë më 6.05.2018

Me rastin e 85 vjetorit të ditelindjes së zonjës së madhe të këngës, Nexhmije Pagarusha, (Nderi i Kombit), presidenti amerikan Donald Trump i ka akorduar asaj medalje Mirënjohjeje.

Me këtë rast sot, në datën 6 maj 2018, ditë e dielë, ora 18,30 Shoqata RessEgnatia dhe Unioni Gazetarëve Shqiptarë, organizojnë në sallën e Universitetit të Arteve të Bukura, (Akademisë se Arteve) me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Ilir Meta, Ministrave nga Shqipëria dhe Kosova, Akademikë dhe personaliteteve të fushave të ndryshme: Ju ftojmë të bëhemi bashkë në nderimin e artistes së madhe Zonjës Pagarusha!”, thuhej në njoftimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933, është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e njohur si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur, Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.