Mbyllja e lojërave të fatit, reagojnë komunitetet fetare: Shpresojmë të mos jetë retorikë politike

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë por edhe Komuniteti Mysliman si edhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, kanë reaguar për ligjin më të diskutuar ditët e fundit, atë të mbylljes së pikave të lojërave të fatit. Konferenca ipeshkvore thotë se ata ofrojnë mbështetjen e tyre që ky problem të marrë një zgjidhej afatgjatë dhe shpresojnë që të mos jetë një retorikë politike. “Por gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se e vetme kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e ludopatisë, nëpërmjet hapjes së qendrave dhe klinikave të specializuara ku trajtohen personat e përfshirë në këtë lloj vartësie e cila tashmë klasifikohet si një sëmundje nga OBSH”, shkruhet më tej në deklaratë.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve thotë se: Në këtë rast e shikojmë me optimizëm nismën, e cila i bashkohet vlerave të bektashinjve, për të ruajtur rininë dhe familjen tonë të pastër, larg veseve. Le të shpresojmë që nisma të tilla në dobi të shoqërisë të shtohen.

Ndërsa për Komuniteti Mysliman vendimi është i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri. “Duke parë rëndësinë e kësaj nisme, KMSH shpreson që instancat përkatëse do të veprojnë maturisht si për parandalimin e lojërave të fatit ashtu edhe të çdo fenomeni që është në dëm të qytetarëve. Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nisme, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë.”.