Me ikjen e Ramës nga qeveria, shpëton Shqipëria, me largimin nga partia, shpëton PS-ja

Sundimi i këtij derdimeni aventurier, në krye të partisë së sakrificave e mendimit të lirë, të drejtuesve potencial të spostuar dhe mijëra socialistëve të ndershëm e shpërfiluar, është naiviteti momental i Fatos Nanos, për të promovuar e lejuar, fuqizimin financiar të Ramës në bashki, me ngritje klike hajdutësh e perversësh, të cilën prej 14 vitesh në PS, dhe prej 6 vitesh në pushtet, e ka futur si një “tumor” në trurin dhe trupin e kësaj ish-partie gjigande, të katandisur “kockë e lëkurë”.

 Opozita ka deklaruar, se 16 shkurti është një betejë, me të cilën kërkohet qeveri administrative e kalimtare, me detyrë të përgatisë zgjedhje të parakohëshme, por nëse PS ka potenciale, pranohet edhe qeveri me përbërje socialiste, por pa Edi Ramën kryeministër.

Me këto dy variante, duket se PD ka qartësisht e plotësisht të drejtë, mbasi, duhet pranuar edhe nga socialistët e ndershëm, se në Shqipëri nuk ka qeverisje e as qeveri, por vetëm një person, me tabelën e hajdutërive “PPP” dhe harbutërinë ektreme të komandimit, që urdhëron, planifikon, firmos e vulos gjithçka me gjiknurët, beqjet, sejdinët, dakot, rrahmanët, ulajt, ballët e ballukët.

Nuk e dimë, nëse Rama do t’i dorëzojë “çelësat” kryeministrore më 16 shkurt, por nuk ka më asnjë dyshim, se me ikjen urgjente të Ramës nga kolltuku i kryeministrit, dhe lukunia e ”brejtësve” ministra, kryeinspektorë e drejtorë qendror të tij, shpëton Shqipëria.

Me ikjen e Ramës e “ramaxhinjve”, me një qeveri socialiste të nivelit të lartë e serioz si në kohët e Pëllumbit, Dokles, Hajdaragës, Dades, Rukës, Bellos, Çecos, Legisit, Dukës, Ermelinda Meksit e ish-Braçes e ish-Majkos, mund të rikthehet një shpresë tek shqiptarët, shpresë e sinqertë, të cilën Rama, ua vodhi më 2013 e ua përdhosi në këto 6 vite “pushtet djalli”.

Për surratin e Edi Ramës, iu dhanë 1 milionë “shuplaka” fytyrës së Berishës, por ai i preu në besë mbështetësit, me citate e përbetime për gjoja shtet ligjor, për ndarje të politikës nga krimi, ndëshkim të berishëve e metajve, për punësim e mirëqenie ekonomike, por u bë kryesimbol i korrupsionit, krimit, mashtrimit e prepotencës edhe brenda PS.

Nëse, me ikjen e Ramës nga qeveria, pa asnjë dyshim shpëton Shqipëria, ikja emergjente e Edi Ramës nga partia, është shpëtim për PS, të cilën, banda e “rilindjes” e ka degraduar si moral, e ka shkatëruar si strukturë, e ka zhdukur si frymë e energji socialiste, deri edhe në simbole e ngjyrë.

Në PS, nuk ka më Kryesi, Asamble, strukturë, grup parlamentar, ideololgji, kolegjialitet, debat të hapur e të lirë, ide të reja nga drejtuesit e baza, apo mendim ndryshe, por vetëm një individ, një zë, një fytyrë, një urdhër, që vetëm dëgjohet, pranohet e zbatohet, ndryshe, nuk mund të jesh pranë ose afër NJËSHIT.

Nëse, kur Edi Rama, hoqi maskën e nisi largimin e vlerave të kësaj partie, drejtuesit socialistë të deri 2005-ës, të mbajtur ende brenda PS, mallkuan Ramën  pse i sulmoi, ndërsa tani, kanë nisur nën zë, të mallkojnë vehten, se përse e promovuan dhe e vendosën të ligun e çmendur, në krye të PS, por nuk thonë asnjë fjalë, se përse e lejojnë, të qëndrojë akoma në krye të partisë, pushtetin e të cilës, ai e përdor për PPP, me mafien e trafiqeve dhe oligarkëve.

Sjellja e Edi Ramës në krye të PS, dhe reagimet e këtyre ditëve, nga socialistët që themeluan e forcuan dinjitetshëm këtë parti, po jep provën e plotë, se kur të urrejnë e vërsulen edhe brenda familjes, do të thotë, se me zullumet dhe kapadaillkëun e prepotencës habutërore, je bërë i pa pranueshëm, për të drejtuar famijen e për të qëndruar brenda saj.

Ka sinjale, se para lëvizjes së PD: – “Rama, ik nga kryeministria”, nga socialistët e vërtetë, ka nisur lëvizja: – “Rama, ik nga partia”.

Dhe në fakt, ikja e tij është emergjencë, për shpëtimin dhe rikthimin e kësaj partie, në profilin që kishte, para se të lihej në “thonjtë e pa prerë” të species Edi Rama.