Me mision për të bashkuar PD-në, Helidon Bushati zgjedh të bëjë fushatë si i pavarur



Ndryshe nga detyra që i ka ngarkuar Lulzim Basha për të qënë i deleguar i qarkut Shkoder, Helidon Bushati prej marrjes së këtij pozicioni po vepron sikur të ishte kandidat i vetëm dhe i pavarur. Thuajse të gjitha daljet publike ai po i bën i shmangur nga të gjitha strukturat e larta drejtuese të partisë demokratike, por edhe nga ish deputetët e qarkut që në bllok dorëzuan mandatet në 2019-en.



Axhenda e tij politike në gjithë këto javë gjatë takimeve me qytetarë, grupe të vogla biznesi, apo edhe duke denoncuar nga territore të ndryshme të qarkut, ka qënë e vakët dhe me një profil krejt ndryshe nga sa ndër vite shkodranët janë mësuar ta shohin partinë demokratike dhe udhëheqësit e saj të listave të kandidatëve për deputet. Ardhja e Bushatit, krijoi jo pak pakënaqësi brenda radhëve të partisë demokratike të Shkodres, pasi pritshmëritë ishin krejt ndryshe, duke patur parasysh faktin që nga emrat më të propozuar që ju dërguan Lulzim Bashës, nuk ishte ai i tij. Kjo edhe për shkak se prej vitesh Bushati jeton dhe punon në Tiranë dhe lidhjet me selinë blu i ka patur të vakëta. Ardhja e tij njëkohësisht dogji shumë emra të tjerë që kishin aspiruar për në listën e sigurtë të deputetëve nga pinjollët e Bushatlinjve, ç’ka po shihet fare qartë edhe në qëndrimet që sot po mbajnë ndaj Helidon Bushatit, duke u distancuar nga aksioni i tij politik.



kjo mund të jetë një kosto e lartë për PD-në dhe vetë Lulzim Bashën që aspiron me 25 prill të fitojë zgjedhjet parlamentare. Vetë Bushati duke mbajtur po ashtu një qëndrim të tillë distancues si nga kryetari i PD, ashtu edhe nga funksionarët e lartë vendore, si dhe nga kryesia e degës së PD, po dëshmon qartazi se ai ka vendosur ta bëjë betejën për vete dhe i vetëm, me një strategji që në rezultatin final mund ta dëmtojë rëndë këtë forcë politike. Kanë mbetur edhe pak javë nga finalizimi i emrave që do të jenë zyrtarisht pjesë e listës së PD për kandidatët për deputet dhe nga profili i krijuar deri më tani, por edhe nga marëdheniet që mund të lindin më pas, Bushati rrezikon që nga i deleguari i qarkut për të bashkuar demokratët dhe faktorizuar votën e tyre, të kthehet në emrin që e “minon” këtë proçes, pikërisht në momentin më delikat që edhe vetë PD ka në këto zgjedhje, për shkak të fragmentarizimit të votës së të djathtës./ShkodraNews