Më në fund, sulmuesi shkodran rikthehet tek goli

Prej kohësh, sulmuesi shkodran Sidrit Guri nuk po kalon një periudhë të mirë me skuadren e tij në Belgjikë. Guri nuk po gjen rregullisht golin me skuadren e Ostendes.

Kësisoj, sipas mediave vendase, drejtuesit e ekipit belg kanë menduar ta nxjerrin në shitje.

Por, vetë sulmuesi i kombëtares shqiptare u ka dhënë një mesazh të qartë drejtuesve se ai meriton të jetë pjesë e skuadres, pse jo ta nis lojën edhe si titullar. Kështu, Guri e ka nisur mbarë vitin 2019.

Ai ka arritur të shënojë njërin prej dy golave të skuadres së tij në miqësoren ndaj ekipit hollandez të Utreht.

Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 0 – 0. Në të dytën, Utreht shënon në minutën e 64-të me anë të Venema, ndërkohë pas 10 minutash barazon Ostende me Bataille. Por, vetëm katër minuta më vonë, në të 78-ten, Guri rikthehet tek goli dhe shënon me kokë të dytin për skuadren e Ostendes.

Edhe në këtë përballje, 25-vjeçari shkodran e nisi sfidën nga stoli, por kjo nuk e pengoi këtë herë që të shënonte dhe ti jepte fitoren Ostendes, edhe pse ishte thjesht një ndeshje miqësore. /ShkodraNews