Mësimi që duhet të ndjekë bota sot, shumë vite pasi gripi spanjoll bëri namin

Distancimi social nuk e zvogëloi numrin e vdekjeve nga gripi spanjoll një shekull më parë sepse nuk zgjati aq sa duhet, thotë një studim i ri hulumtues që ka ndikim në reagimin sot ndaj COVID-19. Kështu shkruan Bloomberg, duke cituar ekonomistin e Universitetit të Harvardit, Robert Barro.

Mbyllja e shkollave, ndalimet në tubime publike dhe karantinat dhe izolimi në qytete të ndryshme të SHBA-së nuk shpëtuan shumë jetë. Dhe kjo sipas ekonomistit, e ka shkakun tek “arsyeja e mundshme” se këto shtete “kishin një kohëzgjatje mesatare prej vetëm një muaj karantine”.

“Mësimi për pandeminë e koronavirusit në vitin 2020 është që, për të zvogëluar vdekjet e përgjithshme, NPI-të [ndërhyrjet jo-farmaceutike] duhet të mbahen për më gjatë se disa javë. Me shumë mundësi, 12 javë funksionojnë shumë më mirë sesa 4-6 javë”, citohet të ketë shkruar Barro në dokumentin e punës të Byrosë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike.

Gjithsesi, llogaritja e Barro nuk merr parasysh humbjet ekonomike nga një izolim i gjatë. Por në një email, ai thotë se çdo rënie në prodhimin e brendshëm bruto duhet të peshohet ndaj vlerës ekonomike të shpëtimit të jetës.

Ndërsa “Gripi Spanjoll”, i njohur gjithashtu si pandemia e gripit të vitit 1918, ishte një pandemi e gripit jashtëzakonisht vdekjeprurës të shkaktuar nga virusi A H1N1.

Duke zgjatur më shumë se 12 muaj nga pranvera e vitit 1918 (hemisfera veriore) deri në fillim të verës 1919, ai infektoi 500 milionë njerëz – rreth një e treta e popullsisë së botës në atë kohë.

Numri i të vdekurve vlerësohet të ketë qenë diku nga 17 milionë deri në 50 milionë, dhe ndoshta deri në 100 milionë, duke e bërë atë një nga pandemitë më vdekjeprurëse në historinë njerëzore.