Meta tha se është ma.fio.z, Ardian Dvorani i përgjigjet dhëmbë më dhëmbë

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka komentuar akuzat e presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili më herët në një konferencë e akuzoi Dvoranin se ka shkelur Kushtetutën, si edhe e quajti “mafioz”. Në një reagim në rrjetet sociale, Dvorani thotë se për akuzat është njohur nga mediat, si dhe thotë se presidenti ka ushtruar të drejtën e tij që ia jep Kushtetuta. Me ironi ndër rreshta, kreu i KED-it, thotë se më në fund”, Meta po ushtron të drejtën e tij, e për veten siguron se do t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Për këtë”, thotë Dvorani, “nuk do t’i shmanget ligjit me lojëra mediatiake dhe proceduriale” duke shigjetuar kështu presidentin Meta, por edhe politikanët e tjerë që në shumë procese gjyqësore janë “shmangur” me procedura.

Reagimi i plotë i Ardian Dvoranit:

Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje. Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.

Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.

Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës. 

Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat tha sot se do të kallëzojë penalisht të hënën në prokurori, Dvoranin për dy akuza, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës. Meta tha se KED ka vetëm rol procedurial për t’u marrë me dokumentacionet e Parlamentit, Gjykatës dhe Presidentit, dhe se vendimet e marra nga Dvoranin nuk janë kryer në mënyrë kolegjiale por individuale. Kreu i shtetit, e akuzoi Dvoranin se ka dërguar listat e vakancave përnjëherazi, qëllimisht, dhe se ka shpërdoruar detyrën me botimin në Fletoren zyrtare të kandidatëve.

Meta e argumentoi këtë duke thënë se ligji parashtron që lista të botohet në faqen e Gjykatës së Lartë dhe jo në fletore, por kjo sipas tij u bë për të paracaktuar përzgjedhjen automatike të Arta Vorpsit. Për Ilir Metën, Dvorani është një “mafioz” që rrezikon burgun me shkeljet që ka bërë. Ndërkohë që ngërçi KED-Presidencë-Kuvend, ka shkaktuar një amulli me Gjykatën Kushtetuese, pasi Meta nuk e njeh Arta Vorpsin si anëtare dhe për rrjedhojë nuk i ka bërë as betimin, ndërsa Kuvendi dhe KED, po. Meta ka dekretuar dhe betuar në vend të Vorpsit, Marsida Xhaferllarin, e cila bashkë me Vorpsin bëri sot “xing” në dyert e Gjykatës Kushtetuese.