Mini-Shengeni/ Një tjetër shuplakë e Albin Kurtit për Ramën

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, njëherazi kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar sot se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave e quajtur Shengenin Ballkanik ndërsa bëri thirrje për aleanca tjera ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Nuk nisë me Serbinë kjo punë, nisë Kosovë-Shqipëri vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare dhe Shkup zyrtar e Beogradi në fund sepse i tillë çfarë është ai, i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara, në filtrim të vazhdueshëm me Moskën e (Vladimir) Putinit nuk mund të ketë prioritet, rrjedhimisht mendoj se edhe mbledhja e Novi Sad-it dhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, tha zoti Kurti.

Ai tha se Shqipëria zyrtare është dashur të pres formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

“Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare një qeveri të re dhe të denjë të Kosovës shumë vite, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri dhe të bashkëpunojmë të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad, me Ohër e nesër me Durrës kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra nëse kanë pritur shumë vite është dashur të presin edhe pak javë”, tha zoti Kurti.