‘Na ka hyrë ariu brenda, Rama të na mbrojë se e kemi si baba’

Pa shtëpi, pa të ardhura, pa ilaçe, të sëmurë dhe në izolim. Kjo është drama e bashkëshortëve Bica në fshatin Labinot Fushë të Elbasanit. 5 mijë lekë të reja nga përkrahja sociale, borxhet dhe ndihmat me ushqime që kanë marrë nga pushteti lokal janë të ardhurat e bashkëshortëve, të cilët janë në kufijtë e mbijetesës.

“Shumë e vështirë është”, thotë për A2 Hekurane Bica. “Në këtë situatë që është krijuar, ne jemi akoma më keq, me vetëm 50 mijë lek asistencë. Paguaj vetëm dritat dhe ujin”.

Sikur të mos mjaftonin kushtet e rënda shëndetësore dhe ekonomike, familjes Bica iu shkatërrua edhe banesa nga tërmetet e vitit të kaluar. Dhe tani kanë frikë edhe nga egërsirat e natës.

“Këtu ka hyrë dy herë ariu, e kam parë vetë. Kam frikë se do të na hajë natën”, thotë gruaja.

Shpresën, tani e kanë te kryeministri, të cilit i apelojnë për ndihmë. “Nëse nuk na mbron ai, që e kemi si baba, ne jemi të vdekur”, thotë ajo.