Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur që përqeshte e përbuzte burokratët dhe demagogët

Një nga shkrimtarët më të njohur shqiptar është ndarë sot nga jeta në moshën 89-vjeccare. Bëhet fjalë për Fatos Arapin, i cili njihet veçanërisht për poezitë e tij. Shkrimtari i dashur shqiptar, lindi në vitin 1929 në Vlorë, Shqipëri. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë.

Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi ,,Kurorën e artë,, në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Poezite e para

Poezitë e para Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezia dhe vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin.

Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës.

Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t’i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë “Antiburokratike”, apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë “Pse erdha në jetë”. Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe “mejtimit të lirë” siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.