Ndaj Erzenit mbyll kampionatin, trajneri Canaj tregon kë do aktivizojë

Vllaznia – Erzeni do të luhet të shtunën në ora 16:00. Ndeshja e fundit për këtë sezon në Kategorinë e Parë për kuqeblutë. Një ndeshje pa vlerë, pasi Vllaznia e ka siguruar rikthimin në Superiore.

Në një prononcim për Sportekspres, trajneri i kuqebluve Agim Canaj ka folur për këtë ndeshje. Ai ka treguar se ndaj shijakasve do të aktivizojë lojtarët me më pak minuta.

“Duke qenë se e kemi zgjidhur matematikisht gjithçka, motivimi i skuadrës ka qenë kryesori. Më 31 maj shumë futbollistëve titullarë u mbarojnë kontratat me Vllazninë, ndaj me Erzenin kemi menduar që të aktivizojmë lojtarët me më pak minuta. Sigurisht ata elementë që i shërbejnë të ardhmes së kësaj skuadre. Jam këtu me shumë pasion dhe objektivin e arritëm, ndërsa e ardhmja deri në këto momente nuk ka asnjë piketë. Dihet që Vllaznia menaxhohet nga bashkia.”

Ndërkohë për ndeshjen finale me Bylisin, Canaj shton: “Çdo trajner ka nostalgji për skuadrat që ka drejtuar. Si profesionist do dëshiroja që Vllaznia të fitojë finalen, që do jetë vendimtare jo vetëm për Kupën, por edhe për përfitimin monetar. Gjendja në aspektin financiar tashmë dihet dhe ato të ardhura do ishin një plus për klubin.” /ShkodraNews