“Ndaj Ilirisë, Vllaznia do të ketë një ndeshje të fortë”

Ndeshja ndaj Ilirisë mbyll edhe fazën e parë të kampionatit për ekipin e Vllaznisë. Një takim, që siç u bë i ditur edhe sot është shtyrë për të hënën në orën 14:00 dhe do të luhet në Fushë-Krujë. Natyrisht, Vllaznia kërkon të marrë 3 pikëshin e radhës për ti bërë një mbyllje të mirë kësaj faze të parë.

Por, ky takim nuk është aq i lehtë sa duket në pamje të parë. Një mendim të tillë ndan edhe trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika. Sipas tij, në Fushë-Krujë Vllaznia do të ketë një ndeshje të fortë, pasi kundërshtari ka arritur rezultate pozitive në ndeshjet e fundit.

“Kemi përsëri një ndeshje të fortë. Iliria ka arritur rezultate positive në ndeshjet e fundit, ku ka fituar në Burrel dhe ka ndalur Dinamon, duke bërë një ndeshje të mirë edhe ndaj saj. Kështu që jemi të ndërgjegjshëm që do të kemi edhe ne një ndeshje të fortë në Fushë-Krujë. Gjithsesi në do të kërkojmë të japim maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv nga ky takim, që është edhe i fundit i fazës së parë në kampionat.” – shprehet Lika. /ShkodraNews