Ndërkohë që Shkodra harrohet, ndërhyrjet politike rritin shumën e shpronësimeve në Malësi

Ndërsa Shkodrës vijon t’ia mbajë peng shpronësimet si për By pass-in, ashtu edhe rrugën e Velipojës, që ka sjellë për pasojë edhe bllokimin e punimeve në këto dy vepra publike, qeverisë i del kohë të ndryshojë shpronësimet për banorët e qytetit të Koplikut në Malësi të Madhe. Përmes një ndryshimi në vendimin e mëparshëm të këshillit të ministrave, është vendosur rritja e shumës së shpronësimit, ku nga 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekë bëhet 29 696 959 (njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë. Pra e përkthyer ndryshe shpenzimet procedurale shtohen në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe do të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Natyrisht  që një veprim i tillë nuk ka se si të mos mirëpritet nga banorët e Malësisë dhe kjo vjen edhe falë ndërhyrjeve politike që janë bërë për tu kryer ky proces. Vendimi i plotë i zbardhur:

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 12.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË QYTETIT KOPLIK””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.328, datë 12.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
  2. a) Tabela që i bashkëlidhet vendimit nr.328, datë 12.4.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
  3. b) Në pikat 3 dhe 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit të pronarëve nga 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekë bëhet 29 696 959 (njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë.
  4. Shpenzimet procedurale shtohen në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe do të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
  5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Malësi e Madhe dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Malësi e Madhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Ndërsa sheh këtë lëvizje të qeverisë natyrshëm nuk ke se si të mos ngresh pikëpyetje të mëdha se përse Shkodra trajtohet si provincë dhe qeveria nuk i merr seriozisht problemet disa vjecare me shpronësimet. Në lojë janë miliona lekë që shteti u detyrohet këtyre familjeve, të cilave pasi u mori tokën prej 6 vitesh, sot nuk u jep asnjë përgjigje për detyrimet që i ka./ShkodraNews