Ndryshon skenari për fushaten elektorale, ja çfarë pritet këtë vit



Partitë politike në Shqipëri po përgatiten prej muajsh që të kenë gati skenarin nr:2, atë të një fushate elektorale online, kjo për shkak të kufizimeve të Covid 19. Një strategji që natyrisht do të kërkojë më shumë para të shpenzuara, në një kohë kur vendi përballet me thellim të varfërisë dhe shumë familje jetojnë nën minimumin jetik. Por kjo ka pak rëndësi por ato që janë në qeveri, apo ata që duan të qeverisin neser, sepse për ta më shumë vlen përmbushja e objektivave personale, sesa interesi publik, e dëshmuar prej vitesh me veprime konkrete në terren.



Shpenzime këto që pa frikë për kohën që po jetojmë mund të cilësohen “luksi”, kur familjet që do ti ndjekin, diskutojnë kafshatën e përditshme. Kostoja do të jetë e lartë jo vetëm për pajisjet që do të blihen, por edhe për hapësirën televizive, sepse të shkosh tek shumë familje, pa ekranin e vogël është e pamundur. Zona të tëra të Shqipërisë nuk e kanë luksin e internetit, apo familjet që jetojnë në varfëri, të mund të njohin teknologjinë e smartfoneve, e pajisjeve të tjera që këto parti do të aplikojnë për të ndarë mesazhet e tyre propagandistike.



Ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, kryesuesi i socialistëve në qarkun Shkoder madje në një studio televizive shkoi deri aty sa deklaroi që forca politike që ai përfaqëson ka 2 vite që ka nisur përgatitjet për një “parti hitech”. Thënë ndryshe shpenzimet kanë nisur me kohë dhe mbetet vetëm implementimi gjatë këtyre ditëve i “artilerisë” së rëndë që ato kanë refuzuar për fushatën, ku në jo pak raste jashtë kamerave e objektivit të aparatit kanë thyer edhe rregullat e kufizimit të vendosura nga komiteti teknik për tubimet apo grumbullime mbi 10 persona./ShkodraNews